Tifozi është super i zgjuar kur bëhet fjalë për të arsyetuar ekipin e vet. Debatet mes tifozëve shpesh i tejkalojnë parametrat e një jete normale. Armët e tyre janë manipulimi me fjalë, parcializimi i çështjeve dhe arsyetimi edhe i dështimeve më të dukshme.
Tifozi është shpesh i verbuar ndaj realitetit dhe së vërtetës. Është në gjendje të mbajë ligjërata të gjata për ekipin e vet dhe të gjejë argumente për çdo situatë.
Gjithçka fillon me një ide të sajuar. “Ja, kjo duket se është mirë.” Pastaj, duke e përsëritur dhe duke e mbrojtur vazhdimisht atë ide, fillon edhe vetë t’i besojë asaj. Në fund, ajo që ishte vetëm një justifikim shëndërrohet në “të vërtetë”.
Prandaj, me tifozin mos u mundo shumë të debatosh. As mos e pyet, as mos u lodh duke i argumentuar. Sepse kur njeriu e ka zgjedhur paraprakisht përfundimin, argumenti nuk i shërben më për të gjetur të vërtetën, por vetëm për ta mbrojtur atë që tashmë ka vendosur të besojë.
Sead Ramadani








