Tottenhami, fitues i Ligës së Evropës

Tottenhami është fitues i Ligës së Evropës për këtë edicion, pasi në finale e mposhti skuadrën tjetër angelze, Manchester United.

Tottenhami të mërkurën mbrëma në stadiumin e Athletic Bilbaos “San Mames” në Spanjë, fitoi me rezultatin 1:0.

Trofeun e parë evropian pas 41 vjetësh, Tottenhami e fitoi falë golit të realizuar nga sulmuesi 23-vjeçar, Brennan Johnson.

Uellsiani realizoi në minutën e 42-të, pas topit që u kthye në zonë nga mbrojtësi i krahut të majtë, Luke Shaw. Për Johnsonin ishte goli i pestë i shënuar në Ligën e Evropës në këtë edicion.

Kupën e UEFA-s, që tani quhet Liga e Evropës, Tottenhami për herë të fundit e kishte fituar në edicionin 1983-84. Fitues ishte edhe në edicionin 1971-72.

Skuadra londineze në edicionin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve, si fitues i kupës së dytë më të rëndësishme për klube, nga garat që i organizon UEFA.

Londinezët e mbyllin me sukses sezonin pas trofeut të fituar. Në ligë, Tottenhami është i 17-ti me 38 pikë, një më pak se Manchester Unitedi që zë vendin e 16-të, një xhiro para fundit në Premier League.

“Djajtë e kuq” do të mungojnë në kupat evropiane në edicionin e ardhshëm.

Manchester Unitedi trofeun e fundit evropian e fituan në edicionin 2016-17.

Jose Mourinho ishte trajner i skuadrës kur Unitedi e fitoi Ligën e Evropës.