Tragjedia me 10 viktima në Kroaci, arrestohet shoferi i autobusit: Më zuri gjumi në timon

Shoferi i autobusit që shkaktoi tragjedinë në Kroaci ku humbën jetën 10 shqiptarë të Kosovës dhe mbi 40 mbetën të plagosur është arrestuar.

Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic u shpreh se shoferi i autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” tha zyrtari kroat.

MPJD deklaroi zyrtarisht se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve, ndërsa 15 janë në gjendje më të rëndë për jetën.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci deklaroi se fatmirësisht mes viktimave nuk ka fëmijë. Ata ishin duke u kthyer nga Gjermania kur autobusi doli nga rruga në Kroaci.