Tregim këshillues: Hiqe gurin nga ai vend biri im

Babë e bir punonin në kopsht. Babai pa një gur afër të birit, dhe i tha: “Hiqe gurin nga ai vend biri im, sepse aty do të mbjellim një lule të bukur.”
Me të dëgjuar babanë, djaloshi i përvoli mëngët dhe filloi punën. Por, përkundër përpjekjeve të shumta nuk arriti që ta lëvizte gurin nga vendi. I lodhur dhe i djersitur i tha të atit: “Babi, nuk mund ta bëj, guri është shumë i rëndë.”
“Përpiqu sërish”, i tha babai. “Përdori të gjitha mënyrat tuaja për ta larguar gurin nga ai vend.”
Djaloshi u përpoq sërish duke i përdorur të gjitha mënyrat që i kishte, por megjithatë nuk kishte forcë ta largonte gurin nga vendi. Pas të gjitha përpjekjeve djaloshi u demoralizua dhe filloi të qajë.
Duke dëgjuar djalin e tij duke qarë, i ati erdhi me vrap, u ul pranë tij dhe i tha: “Pse po qan? Ti mund ta lëvizësh këtë gur. Të thashë të përdorësh të gjitha mënyrat për ta lëvizur atë gur.. apo jo?”
“E bëra. Babi u përpoqa të hiqja atë gur, por nuk munda ta bëja”, i tha djali me një shikim të trishtuar.
“Por, ti nuk i përdore të gjitha mënyrat. Më ke harruar mua i dashur. Pasi kishe nevojë për ndihmë, pse nuk më përfshive edhe mua në “mënyrat” tuaja?” i tha babai.
Me të dëgjuar këto fjalë inkurajuese, djaloshi u ngrit dhe tani me ndihmën e babait të tij, me lehtësi e largoi gurin e madh nga vendi i tij.

Mësimi:

Kur dështojmë në betejat e jetës dhe ndihemi të dëshpëruar, nuk duhet të harrojmë se ne nuk jemi vetëm, në jetën tonë ekzistojnë edhe të tjerë. Në fakt kjo është esenca e ekzistencës së tyre, të na ndihmojnë atëherë kur vetëm nuk ia dalim dot.