Tregtia me zemra dhe me dinjitet!

Nexhat Ibrahimi

Mendojmë se paraja edhe pse është një lodër magjike, joshëse, ajo nuk mund t’i blejë të gjitha, të bëjë çdo gjë! Do t’i bëjmë ca krahasime që të mendojmë:
Paraja blenë çastin, por jo edhe kohën; blenë pozitën por jo edhe respektin dhe dinjitetin; paraja blenë krevatin e shtrenjtë, por jo edhe gjumin e ëmbël dhe ëndrrën e mirë; paraja blenë ilaçin, por jo edhe shëndetin; paraja mund ta blejë dashurinë biologjike, por jo edhe dashurinë e zemrës.
Kjo tregti e blerjes së zemrave është aktuale. Ndodh në fushën e politikës, sportit, kulturës, mjekësisë, bashkësive fetare, të ekonomisë, në shoqatat bamirëse dhe të ndihmës. Ndodh kudo, në çdo pore të jetës. Për dallim prej më herët, kur kjo tregti bëhej fshehurazi, tash bëhet haptazi dhe madje me krenari. Këtë tregti e bën edhe më të shëmtuar fakti se ndodh në dëm të fesë dhe të vendit, të dëm të besimtarit dhe të qytetarit. Edhe më të shëmtuar këtë tregti e bën fakti se e tërë kjo bëhet në emër të fesë së pastër, apo në emër të atdhetarisë së madhe, të humanitet të pashembullt!

Duke e ditur se krenaria dhe dinjiteti nuk mund të shiten për gjera me vlerë kalimtare dhe shumë të lirë, duhet të konstatojmë se mungojnë edhe krenaria edhe dinjiteti. Për këtë arsye në treg zemrat janë me çmime të lira, tejet të lira. Tregu ofron shumë zemra, kurse kërkesa është e vogël.

Në tregun aktual, kërkuesi me pak para do të gjejë zemra të shitura. Ajo zemër e shitur është në gjendje të luajë me vlerat e fesë së tij apo të fesë së huaj, me ndjenjat e fesë së tij apo të huaj, të shkelë themelet e shtetit të tij dhe të ndërtojë themelet e shtetit të huaj, të prish lumturinë e popullit të vet dhe të ndërtojë lumturinë e shtetit të huaj. Kjo, sipas tyre, për fat të keq, është lumturi, fat, liri, progres, bashkëkohore.

Të tillët, duke shkelur vlerat e tyre, ndërtojnë vlera të huaja, duke shkelur amanetin e shehidëve të tyre, respektojnë kriminelët e huaj, duke thyer të drejtat e jetimëve të tyre, të të vejave të tyre, të prindërve të përlotur për më të dashurit e tyre të vdekur, ndihmojnë rrënimin dhe asimilimin e fesë dhe të popullit të vet.

Vallë, kush bën kështu përveç njerëzve tanë!? Vallë, mund të blejë paraja çdo gjë? Vallë, ku është ulemaja dhe pse heshtin para kësaj dukurie të rrezikshme, si në rrafshin shpirtëror ashtu edhe në atë fizik!

Islami ofron rrugëzgjidhje. Ajo është para nesh. Duhet ta pranojmë sinqerisht dhe ta ndjekim deri në fund! Ajo është rruga e mesme, as majtas as djathtas!