Tregu i komunikimeve elektronike u rrit me 5.4% vitin e kaluar, arriti nivelin më të lartë që prej vitit 2016

Që prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka dy operatorë celularë, pas bashkimit mes kompanive ONE dhe Albtelecom nën ombrellën e grupit hungarez 4iG.

Tregu i komunikimeve elektronike u rrit me 5.4% vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat e raportuara në Autoritetin e Konunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nga operatorët e tregut, të ardhurat totale prekën vlerën e 38.2 miliardë lekëve ose 334 milionë eurove.

Të ardhurat e operatorëve të komunikimeve elektronike u rritën për të dytin vit radhazi dhe arritën vlerën më të lartë që prej vitit 2016.

Edhe për vitin 2022, kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave e dha segmenti i shërbimeve fikse të komunikimit, kryesisht të internetit dhe shërbimeve IPTV.

Nga afërsisht dy miliardë lekë që ishte rritja e të ardhurave të tregut për vitin 2022, 53% e rritjes erdhi nga segmenti i shërbimeve fikse, ndërsa 47% nga ai i shërbimeve celulare.

Volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar arriti në 12.77 miliardë lekë, me një rritje prej 8.9% krahasuar me një vit më parë.

Rreth 65% e të ardhurave të tregut të shërbimeve nga linjat fikse gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë të tregut, ku kryeson Albtelecom 26%, i ndjekur nga Vodafone me 21%, ASC me 6%, Digicom me 5%, Abissnet me 4% dhe Nisatel me 3%.

Operatorët e tjerë, të marrë së bashku, vlerësohet se zotërojnë rreth 35% të të ardhurave të këtij tregu.

Rritja e tregut të shërbimeve fikse reflekton sidomos zgjerimin e vazhdueshëm të tregut të shërbimit të internetit me brez të gjerë.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit 2022 arriti në 582 mijë, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes u përshpejtua nga niveli prej 5.4% që ishte shënuar në vitin 2021.

Në vitin 2022 katër nga pesë familje shqiptare kishin akses në internetin me linja fikse, çka, sipas AKEP, e vendos vendin tonë mbi mesataren e këtij treguesi për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

AKEP vlerëson se në vitin 2021 norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte mbi 81% për familje, në rritje me 4 pikë përqindje krahasuar me 2021.

Tregu i shërbimeve celulare vazhdon të dominojë strukturën e të ardhurave të tregut, me më shumë se 66% të totalit.

Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij tregu edhe për vitin 2022 rezultuan ndjeshëm më të ulëta krahasuar me tregun e shërbimeve fikse dhe pesha e këtij segmenti ndaj totalit të tregut është në rënie nga niveli prej 69% i një viti më parë.

Operatorët raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.4 miliardë lekë, në rritje me 3.7% krahasuar me një vit më parë.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, edhe përgjatë vitit 2022 operatori me pjesën e tregut më të madhe përsa i përket të ardhurave rezulton të jetë Vodafone Albania me rreth 52%, i ndjekur nga One Communications me 36% dhe Albtelecom me rreth 12%.

Që prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka dy operatorë celularë, pas bashkimit mes kompanive ONE dhe Albtelecom nën ombrellën e grupit hungarez 4iG.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2022 arriti në rreth 3.7 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.35 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.21 karta SIM pёr banorё.

Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.8 milionë, në rritje vjetore me 5.6%.