Trump: Faza e dytë e planit për Gazën do të nisë “shumë shpejt”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se faza e dytë e planit të tij për armëpushimin në Gaza “do të ndodhë shumë shpejt”, duke theksuar se puna për marrëveshjen po ecën mirë, pavarësisht sulmeve të reja izraelite që kanë shkelur armëpushimin.

I pyetur nga gazetarët se kur pritet fillimi i kësaj faze, Trump nuk dha një datë të saktë, por tha se gjërat “po ecin mbarë”.

“Patën një problem sot me një bombë që shpërtheu — dëmtoi disa njerëz, ndoshta vrau disa të tjerë,” u shpreh ai nga Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar sulmeve izraelite në jug të Gazës të mërkurën mbrëma, ku u vranë të paktën pesë palestinezë, në një shkelje të re të armëpushimit.

“Po më thonë se sapo ka ndodhur. Por gjithçka po shkon shumë mirë. Ne kemi paqe në Lindjen e Mesme. Njerëzit nuk e kuptojnë këtë,” shtoi ai.

Sulmet ndodhën pak pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kërcënoi se do të “përgjigjej siç duhet” ndaj plagosjes së disa ushtarëve izraelitë në përleshje me luftëtarë palestinezë në Rafah. /mesazhi