Trump: Irani luan me zjarr

Uashington, 2 korrik – Presidenti amerikan Donald Tramp një ditë prejse Teherani kumtoi  se e ka tejkaluar nivelin e dakorduar të rezervave të uraniumit të pasur, deklaroi se Irani “luan me zjarr”.

Ai shtoi se nuk ka  çka të deklarojë për vendimin e fundit të Iranit.

Shtëpia e Bardhë edhe më parë ka reaguar  në njoftimin iranian për tejkalimin e nivelit të dakorduar të uraniumit të pasur duke theksuar se “SHBA-ja dhe aleatët e tyre asnjëherë  nuk do të lejojnë Irani të zhvillojë armë bërthamore”.

Irani dje kumtoi se e tejkaloi  kufirin e rezervave të uraniumit të pasur të dakorduar me marrëveshje multilaterale në vitin 2015.

Irani u kërcënua edhe se më 7 korrik do ta rrisë pasurimin e uraniumit deri te niveli i lejuar për përpunimin e armëve bërthamore.

Shefi i Diplomacisë iraniane Mohamed Xhavad Zarif dje konfirmoi se Irani e tejkaloi kufizimin prej 300 kilogramë të uraniumit të pasur.

Irani, me marrëveshjen që në vitin 2015 e nënshkruajti me SHBA-në, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, u obligua ta kufizojë  aktivitetin për pasurim të uraniumit, ndërsa për kthim i ishte premtuar heqje e sanksioneve  ndërkombëtare.

Tramp vitin e kaluar e tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja dhe vendosi sanksione plotësuese ndaj Iranit. Teherani zyrtar kërkoi nga vendet tjera nënshkruese të Marrëveshjes ta mbrojnë Iranin nga sanksionet amerikane, ndërsa në të kundërtën paralajmëroi se nuk do t’i bashkangjitet marrëveshjes.