Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar një hetim ndaj këshilltarit të tij, Richard Grenell, pas akuzave për tregti me ndikim, raportoi Axios, duke iu referuar burimeve të informuara për çështjen.
Grenell ishte i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Përendimor në mandatin e parë të Trump si president.
Sipas Axios, hetimi po zhvillohet nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë, pas informacioneve që Trumpit i janë paraqitur këtë muaj nga Alina Habba, bashkëshortja e biznesmenit turk Turhan Mildon, e cila më parë ka shërbyer si këshilltare dhe avokate e presidentit amerikan.
Habba pretendon se në maj të vitit 2025, Grenell i kishte propozuar Mildonit të bënte një donacion për Qendrën Kennedy për Artet Performuese, në këmbim të mundësisë për të zhvilluar takime me zyrtarë të administratës amerikane dhe për të marrë pjesë në aktivitete VIP ku do të ishte i pranishëm Trump.
Sipas raportimit, Grenell i kishte dërguar Mildonit një mesazh me këtë ofertë.
Në qendër të pretendimeve është një transaksion financiar që përfshin softuerin e një kompanie private të mbrojtjes me seli në Houston dhe një projekt në Republikën Demokratike të Kongos.
Mildon pretendon se, me udhëzimin e Grenellit, kishte transferuar 17.6 milionë dollarë te kompania Texas Armament & Technology. Sipas tij, shuma do të ndahej për dy qëllime: financimin e një projekti në Kongo dhe një donacion prej afro gjashtë milionë dollarësh për Qendrën Kennedy.
Si mbështetje për pretendimet e tij, Mildon ka paraqitur një mesazh të vitit 2025, ku përmenden donacioni për Qendrën Kennedy dhe një projekt që lidhet me softuerin në Kongo.
Dokumentet e dorëzuara në Shtëpinë e Bardhë përfshijnë gjithashtu një dokument financiar të datës 29 maj 2025, i cili, sipas raportimit, tregon transferimin e 17.6 milionë dollarëve te kompania në fjalë.
Deri në këtë fazë, informacionet e raportuara përbëjnë pretendime që kërkojnë verifikim përmes hetimit. Nuk është bërë e ditur nëse hetimi ka arritur në ndonjë përfundim apo nëse ndaj Grenellit janë ngritur akuza zyrtare penale.








