Turqi, 11 të vdekur pas aksidentit të një autobusi me turistë

Të paktën 11 persona humbën jetën dhe 44 të tjerë u plagosën pas aksidentit të një autobusi me turistë në provincën qendrore të Eshkisehir, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

”Viktimat ishin pjesë e një turi turistik nga Ankaraja”, shtoi kjo agjenci.

Aksidenti ndodhi sot gjatë orëve të para të mëngjesit kur drejtuesi i autobusit humbi kontrollin dhe u përplas me pemët anash rrugës.

Grupi turistik po shkonte në qytetin veriperëndimor të Bursës. Policia ndaloi shoferin e autobusit dhe nisi hetimet e rastit.