Turqia dhe Greqia vazhdojnë me përpjekjet e ndërtimit të besimit

Turqia dhe Greqia janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet për masat e ndërtimit të besimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë në twitter njoftoi se shefat e mbrojtjes të të dy vendeve fqinje ranë dakord të zhvillojnë raundin e katërt të takimeve.

“Data dhe detajet e tjera të takimit të planifikuar do të përcaktohen në të ardhmen e afërt”, tha ministria turke.

Në muajin maj të vitit 2019, një delegacion i mbrojtjes turke vizitoi Athinën për një takim teknik me zyrtarët grekë për të rritur bashkëpunimin, veçanërisht në masat e ndërtimit të besimit dhe kodit të sjelljes në Detin Egje.

Turqia thotë se aktivitetet e shpimit të hidrokarbureve në rajonin e Mesdheut Lindor, që është burimi i tensionit midis dy vendeve, bazohen në të drejtat e saj legjitime që burojnë nga e drejta ndërkombëtare.

Turqia vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës së Qipros Greke në Mesdheun Lindor, duke theksuar se Qiproja Turke po ashtu ka të drejta mbi burimet në zonë.

Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankara ndërhyri si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).

Dekadat që prej asaj kohe kanë parë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por të gjitha kanë dështuar. E fundit e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër. /aa