Ultimatumi i Amerikës

Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e menjëhershëm të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, siç është thënë, për ta rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut.

Për më tepër, kjo Ambasadë ka paralajmëruar se asnjë shtet nuk mund të marrë vendime kundër interesave strategjike të SHBA-së pa u ballafaquar me pasoja. Por, ministri Endrit Shala ka thënë se tarifa 100 për qind nuk do të hiqet.

Insistimi i Qeverisë së Kosovës për të mos e shfuqizuar taksën prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina mund t’i cenojë raportet bilaterale mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kështu ka paralajmëruar Ambasada e SHBA-së në Prishtinë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast për disa herë me radhë ka kërkuar heqjen e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe.

Në një komunikatë të lëshuar për medie nga Ambasada thuhet se asnjë shtet nuk mund të marrë vendime kundër interesave strategjike të SHBA-së pa u ballafaquar me pasoja.

Por, Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos zmbrapset nga vendimi për taksën as pas këtij “alarmi” të SHBA-së. Në një prononcim dhënë “Zërit” ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se tarifa 100 për qind nuk do të hiqet pa u eliminuar fillimisht të gjitha arsyet që kanë çuar deri në vendosjen e saj.