Ushtria s’bëhet pa përkrahjen e ndërkombëtarëve

Megjithëse Qeveria ka proceduar në Kuvend projektligjet për shndërrimin e FSK-së në ushtri, kjo iniciativë nuk pritet të shkojë deri në fund për shkak të kundërshtimit nga ndërkombëtarët. Deputetë dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se ushtria nuk mund të bëhet pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ndonëse gjatë javës së shkuar Qeveria e Kosovës nisi iniciativën për bërjen e ushtrisë, duke votuar Pakon e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, një nismë e tillë vështirë që do të procedohet në Kuvend para deputetëve.

Qeveria ka deklaruar se nisma për formimin e ushtrisë tashmë mbetet çështje e Kuvendit, ndërsa anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe për Mbikëqyrje të FSK-së thonë se ende nuk dihet se kur kjo iniciativë do të trajtohet në Komision.

Ndërkaq deputetë nga opozita mbeten skeptikë nëse kjo nismë do të jetësohet.

Sipas tyre, transformimi i FSK-së duhet të ndodhë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe me NATO-n.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve ushtarake për Zerin konsiderojnë se Kosova është vonuar tejet shumë në aspektin e formimit të ushtrisë, ndaj kjo çështje duhet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.