
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, ka deklaruar se situata në Rripin e Gazës nën bombardimet izraelite është e papranueshme dhe ka bërë thirrje për ndërprerjen e sulmeve dhe lejimin e ndihmave humanitare.
Në një intervistë për mediat shtetërore të Vatikanit, Kardinali Parolin theksoi se bllokada e rreptë që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës po shkakton uri të qëllimshme dhe vdekje masive midis civilëve. “Ajo që po ndodh në Gaza është e papranueshme. E drejta humanitare ndërkombëtare duhet të zbatohet për të gjithë,” tha ai.
Ai kërkoi një ndalim të menjëhershëm të bombardimeve dhe shtoi se ndihmat duhet të arrijnë urgjentisht te popullsia palestineze. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund kësaj tragjedie,” theksoi Parolin.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur pikat kufitare për ndihmat humanitare, duke sjellë Gazën në prag të urisë së përgjithshme. Situata ka shkaktuar mijëra viktima dhe është përshkruar nga organizatat ndërkombëtare si një katastrofë humanitare.
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli, me mbështetje të plotë nga SHBA, është akuzuar për kryerjen e akteve të gjenocidit në Gaza, me mbi 177,000 palestinezë të vrarë ose të plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Mijëra të tjerë janë zhdukur dhe qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /mesazhi






