Vazhdojnë protestat antiqeveritare në Kolumbi

Mijëra njerëz në Kolumbi, të cilët kanë mbajtur demonstrata masive kundër qeverisë që nga 28 prilli, organizuan marshime në qytete të ndryshme të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Demonstruesit, të cilët vazhduan protestën e tyre për shkak të dështimit në arritjen e një marrëveshjeje në negociatat e vazhdueshme midis Qeverisë së Kolumbisë dhe Komitetit Kombëtar të Grevës, reaguan ndaj presidentit Ivan Duque.

Protesta u mbajtën në rrugët kryesore në Medellin, Cali dhe Bucaramanga, veçanërisht në kryeqytetin Bogota. Në Bogota dhe Bucaramanga, pati një përplasje midis forcave të sigurisë dhe protestuesve pasi disa grupe bllokuan rrugët dhe vendosën barrikada. Në Cali, qyteti i tretë më i madh i vendit, demonstruesit, të cilët kanë mbyllur autostradat për ditë me radhë, hoqën përkohësisht barrikadat pas kërkesave intensive të autoriteteve lokale.

Duke deklaruar se kanalet e dialogut me zyrtarët qeveritarë janë të hapura, komiteti edhe njëherë theksoi se ata nuk do të largohen nga sheshet nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Ndryshe, Zyra e Ombudsmanit të Kolimbisë në deklaratën e fundit ka bërë të ditur se 42 persona kanë humbur jetën në protestat kundër reformës tatimore që filluan me grevë të përgjithshme më 28 prill. Ndërkaq, organizatat joqeveritare thonë se numri i të vdekurve në protesta është 51. /aa