Vdes historiani Skender Rizaj

Të dielën ka vdekur historiani i njohur Skender Rizaj.

Lajmin për vdekjen e ka bërë të ditur nipi i tij Arion Rizaj përmes një shkrimi në Facebook.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 12:00 në varrezat e qytetit në lagjen Arbëria.

“Pusho i qetë gjysh! I mbylle sytë më 28 nëntor, për Diten e Flamurit! I’a dedikove gjithë jetën historisë e çështjes shqiptare dhe në një ditë historike ndërrove jetë! Mburremi me ty!”.

“Varrimi bëhet nesër (E hënë) në orën 12.00 tek varrezat e qytetit në lagjen Arbëria. Për shkak të situatës pandemike, të pame nuk do të ketë”.

Skender Rizaj ka lind në Pejë më 14 mars 1930. Gjatë viteve 1941-1945 kreu në Pejë shkollën fillore dhe semimaturën, ndërsa gjatë viteve 1946-1947 në Prizren edhe shkollën Normale me dy kurse Pedagogjike.

Si nxënës i shkollës Normale, angazhohet në lëvizjen ilegale patriotike, si pjesë e organizatës “Besa Kombëtare”, për çka më 1946 dënohet me një vit burgim nga regjimi i atëhershëm jugosllav.

Karrierën edukative-pedagogjike e ka nisur si mësues në Pejë e rrethinë (1948-1952) dhe pastaj si profesor i gjimnazit të Pejës (1956-1961). Në Universitetin e Shkupit i ka kryer studimet e rregullta në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë (1956) ndërkaq në Universitetin e Sarajevës i ka kryer studimet pasuniversitare ku edhe mbrojti disertacionin e doktoratës (1965) mbi xehetarinë në Kosovë dhe viset fqinje në shekujt XV-XVII. Atëbotë ishte doktori i parë i shkencave historike në Kosovë.

Punën shkencore e universitare e ka nisur në Arkivin e Kosovës (1961-63) për të vazhduar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës – Dega e Historisë (1965-1987). Ishte ndër themeluesit e parë të Degës së Historisë me mësim në gjuhën shqipe pranë Fakultetit Filozofik në Prishtinë, si dhe ndër iniciuesit e nisjes së procedurave administrative për themelimin e Universitetit të Prishtinës. U shqua si mësimdhënës dhe pedagog i shumë gjeneratave historianësh. Për shkak të veprimtarisë botuese që nuk përkonte me konceptet e historiografisë serbe mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare, është pensionuar para kohe me urdhër të regjimit të atëhershëm (1987).

Gjatë karrierës profesionale kreu hulumtime shkencore sistematike në arkiva dhe biblioteka të ish-Jugosllavisë, të Shqipërisë, Italisë, Gjermanisë, Turqisë dhe të Anglisë. Si osmanolog me përvojë të gjatë, u angazhua në vitet 1989-1990 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave Shtetërore të Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi), në cilësi të këshilltarit-specialist të atij arkivi.

Ishte pjesëmarrës me referate dhe kumtesa në shumë kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte autor i mbi 300 punimeve shkencore dhe dhjetëra publikimeve monografike të botuara në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase, sllovene, angleze, turke, italiane, gjermane dhe arabe.

Ishte laureat i një sërë mirënjohjesh dhe çmimesh, në shenj nderimi për veprimtarinë shkencore dhe atdhetare.

Profesor Skender Rizajn si personalitet e shquante integriteti i tij i fuqishëm profesional dhe moral. Përkundër shumë sfidave jetësore me të cilat u përball, sidomos në rrafshin politik, ai asnjëherë nuk iu gjunjëzua politikave ditore të regjimit, duke luftuar me ngulmë në interpretimin shkencor të historisë shqiptare dhe kërkesës sublime për bashkimin kombëtar shqiptar. Si personalitet shquhej edhe me modestinë e tij imponuese si në mënyrën e të jetuarit ashtu edhe në komunikimin me bashkatdhetarët kudo që i ka takuar.