Vdes një foshnjë në një qendër “çnjerëzore” të azilkërkuesve në Holandë

Vdekja e një foshnjeje tremuajshe në një qendër të mbipopulluar për azilkërkuesit në Holandë, po hetohet, pasi organizata bamirëse mjekësore “Mjekët pa Kufij” (MSF) u vendos në objektin e saj për herë të parë.

Vdekja e foshnjës, identiteti i së cilës nuk u bë i ditur, është incidenti i fundit në qendrën “Ter Apel” në Holandën veriore, ku kushtet janë denoncuar nga MSF-ja si “çnjerëzore” dhe stafi është larguar për shkak të dështimeve të shërbimit, raportoi The Guardian të enjten.

Ata që kërkojnë azil në këtë qendër janë të detyruar të flenë në ambient të hapur, ndërsa tendat janë ndaluar me arsyetimin se pengojnë pamjen e CCTV-së dhe se ka prova të përdorimit të kunjave të tyre si armë.

Të mërkurën, më shumë se 700 njerëz flinin jashtë.

Fëmija raportohet se ka vdekur në një sallë sportive të tejmbushur pranë qendrës kryesore të pritjes.

Eric van der Burg, ministër holandez për Azil, tha se ishte “i tronditur nga incidenti”.

“Një foshnjë tremuajshe vdiq mbrëmë në sallën e sportit në ‘Ter Apel’. Si të gjithë të përfshirët, edhe unë jam thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme. Aktualisht po zhvillohet një hetim për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur saktësisht. I uroj familjes dhe stafit gjithë të mirat”, ka shkruar Burg në Tëitter.

Në një deklaratë, Departamenti i Kujdesit dhe Drejtësisë për të rinjtë e vendit tha se ndihma e parë i ishte dhënë fëmijës në sallën e sportit.

“Aktualisht dihet pak për vdekjen e foshnjës, por ndihma e parë e dhënë nuk arriti ta ringjallë fëmijën,” tha departamenti.

Dega holandeze e MSF-së u vendos në Ter Apel të enjten për hetime, derisa planet për t’u dhënë azilkërkuesve strehim diku tjetër kanë hasur në rezistencë të ashpër.

Banorët e qytetit të vogël lindor të Albergen kanë protestuar prej ditësh kundër njoftimit të Agjencisë holandeze të Refugjatëve për të strehuar deri në 300 azilkërkues në një hotel lokal. /koha