Vërshime dhe mungesë e energjisë elektrike në disa komuna si pasojë e reshjeve

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Kosovës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se qytetet më të prekura janë kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, ku lumenjtë dhe përrenjtë kanë dalë nga shtrati.

Sipas IHMK-së, vendet më të prekura janë Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina.

“IHMK-ja paralajmëron se reshjet me intensitet të ndryshëm pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke shkaktuar vërshime lokale, probleme në komunikacion dhe sistemet e kanalizimit,” thuhet në njoftim.

Lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Ibërin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë shënuar ngritje të lehta të nivelit të ujit.

Përmbytjet kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec, ndërsa Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” kanë njoftuar për reduktime të përkohshme të furnizimit me ujë për shkak të turbullimit të ujit.

Në kryeqytet, autoritetet komunale kanë apeluar për kujdes, duke paralajmëruar për vështirësi në qarkullimin rrugor dhe probleme me kanalizimet dhe rrëshqitjet e dheut.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se ekipet emergjente janë angazhuar që nga mesnata për të ndihmuar familjet e prekura.

Ndërsa në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente ka apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme për shkak të rrugëve të bllokuara nga uji.

Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës dhe Klinës.

Ndërkohë në rrjete sociale, qytetarë dhe media lokale kanë publikuar foto dhe video që tregojnë përmbytjet.