Veseli rreth dorëheqjes së Tahirit: Vendimmarrja do të jetë e imja dhe e PDK-së, jo e individëve (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur sot një mbledhje me anëtarë të partisë, ndërsa duke folur rreth zhvillimeve në këtë parti tha se çfarëdo vendimmarrje do të jetë e tij dhe e partisë, e jo e individëve në PDK.

Ai duke folur rreth kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri për dorëheqje nga kjo pozitë tha se Tahiri është një nga ministrat që kanë bërë punë shumë të guximshme, reforma në drejtësi dhe nuk ka asnjë aferë korruptive.

“Unë e kam takuar ministrin e Drejtësisë pak më herët. Është një nga ministrat që ka bërë një punë shumë të guximshme, reforma në drejtësi, nuk ka asnjë aferë korruptive. Jam i njoftuar me situatën në të cilën ai ndodhet dhe vendimmarrja është e imja. Nuk ka vendimmarrje e cila do të mund të ndodh nga individi në PDK, vendimmarrja do të jetë e imja dhe e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli, raporton Telegrafi.

Duke folur për kthimin e tij të shpejtë në Kosovë, pas vizitës në Britani të Madhe, Veseli tha se ka qenë i  natyrshëm dhe nuk ka mundur të qëndrojë më shumë se dy ditë.

“Muajin e ardhshëm do të jemi anëtar të organizatës më të madhe botërore të partive konservatore…”, tha kryetari i PDK-së.