Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, ka theksuar se ka dy-tri javë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është pasivizuar në bashkëpunimin me VV-në.
Ai në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka thënë se nuk kanë pasur takime me LDK-në, por që sipas tij, partia e Ymerit është e hapur për të arritur marrëveshje.
“Vetëvendosje ka bërë ftesa, kurse LDK-ja ka refuzuar. Albin Kurti i është qasur drejtpërdrejt Mustafës dhe nuk ka pasur kthim të përgjigjes së tyre. Do të thotë e ka për shkak të hidhërimit. Nuk mendoj se tash Kosovës mund t’i ndihmojmë duke i shfaqur hidhërimet tona të vjetra”, ka shtuar Konjufca.
Ai theksuar se ata përveç se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për të parin e Kuvendit të Kosovës, nuk do t’i votonin as “ata që kanë qenë të grumbulluar prapa SHIK-ut”.
Konjufca ka thënë se brenda koalicioni PAN ka njerëz për të cilët do të mund t’i votonin për kryetar të Kuvendit.
“Nuk mendoj se Xhavit Haliti është opsion i mirë për t’u votuar. Mund të ketë kandidat, por nuk të jap emra, sepse kjo do të përbënte njëfarë lloj favorizimi për ndonjë emër të veçantë”, ka shtuar Konjufca.
Ai thotë se me Vetëvendosjen assesi nuk mund të diskutohet për formimin e Qeverisë nga koalicioni PAN.






