Vetëvendosje nominon Albin Kurtin për kryeministër

Lëvizjes Vetëvendosje e ka nominuar kreun e partisë, Albin Kurtin, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Me shumicë votash dhe pa kundërkandidat Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar kandidaturën.

Në fjalën e tij para nomimit, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e ka përshkruar Kurtin si liderin më të suksesshëm të Republikës dhe si figurën më merituese për udhëheqjen e partisë.

Konjufca ka shtuar se vendimi i partisë reflekton besnikërinë ndaj pritjeve të qytetarëve dhe theksoi se vullneti i popullit nuk mund të bllokohet nga kundërshtarët politikë.

“Unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë tonë parlamentare, më meritorin në udhëheqejen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin vërtetë të transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të Republikës sonë, Albin Kurti. Duke e propozuar atë për kryeministër ne të gjithë më së miri I qëndrojmë besnik plotësissht pritjeve të qytetarëve tonë E sa I përket kundërshtarëve politikë vetëm një gjë ata nuk mund ta bllokojnë dhe ajo është vullneti I popullit dhe këtë gjë më së miri do ta kuptojnë me 28 dhjetor”, tha Konjufca.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka akuzuar dhe fajësuar partitë ish-opozitare për situatën politike në Kosovë gjatë vitit 2025, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas tij, gjysma e spektrit politik përdori çdo mjet të mundshëm për të penguar ndërtimin e institucioneve vitale të shtetit, duke synuar që Vetëvendosja të mos ketë mundësi të qeverisë vetëm.

Ai theksoi se qëllimi i partisë së tij nuk ka qenë të qeverisë vetëm, por të krijonte koalicion me partnerët politikë, të cilët sipas tij refuzuan bashkëpunimin.

“Pas një kohe, historia do të shkruajë se në vitin 2025, gjysma e spektrit politik përdori çdo mjet të mundshëm për të penguar ndërtimin e institucioneve vitale të shtetit, vetëm për të argumentuar se Vetëvendosja nuk ka mundësi të ecë e vetme. Të jem i sinqertë, qëllimi ynë themelor kurrë nuk ka qenë të qeverisim vetëm. Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte që të ecim vetëm, por të bashkëpunonim me partnerët tanë në një koalicion demokratik. Këtë e bëmë edhe përmes ftesave tona, por u refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, dhe nga kjo situatë kuptuam se pjesa tjetër e opozitës mund të ndërtonte qeverinë. Numrat objektivisht ishin aty, por ata refuzuan ta bëjnë. Vetëvendosja nuk e lejuan dhe ata vetë nuk deshën. Ata vetëm duan të bllokojnë gjithçka, vetëm që bllokimi i shtetit të duket si dobësim i Vetëvendosjes. Kjo është një agjendë tejet e dëmshme, që mund ta quaja anti-shtetërore, dhe për këtë qëllim ata kanë treguar se janë të gatshëm të shkojnë deri edhe në humnerë”, ka deklaruar Konjufca.