Vlerat civilizuese në betejën e Bedrit

Të shumta janë vlerat civilizuese të cilat u manifestuan në ngjarjet e betejës së Bedrit, betejë të cilën myslimanët nuk e patën marrë parasysh kur dolën në ndjekje të karvanit të kurejshëve që vinte nga Shami, me në krye Ebu Sufjanin. Myslimanët thjesht donin të rimarrin disa nga pasuritë e tyre, të konfiskuara nga kurejshët.

Por Zoti kishte caktuar diçka tjetër të ndryshme nga ajo që mendonin myslimanët. Ebu Sufjani ia arriti që tu bëjë bisht myslimanëve dhe ta shpëtojë karvanin, pasi u kishte çuar fjalë kurejshëve në Mekë për planin e myslimanëve. Idhujtarët mekas u xhindosën kur dëgjuan këtë lajm dhe menjëherë mblodhën forcat dhe u nisën me një mijë luftëtarë. Më vonë, Ebu Sufjani u çon haber mekasve që karvani shpëtoi, prandaj s’ka nevojë të nisen për luftë. Por Ebu Xhehli e kundërshtoi dhe insistoi në përballjen ushtarake mes dy kampeve. Në rreshtat në vazhdim, do të cekim disa vlera civilizuese të nxjerra nga beteja e Bedrit:

Nuk kërkojmë ndihmë nga idhujtarët kundër idhujtarëve.

Kur Profeti a.s u nis bashkë me myslimanët për në Bedër, iu vu pas edhe Habib ibnu Isaf, burrë trim dhe me pushtet, por ishte jomysliman. Ai donte të marrë pjesë në Bedër, për të ndihmuar njerëzit e tij nga fisi Hazrexh, por edhe shpresonte në plaçkën e luftës. Të gjithë e njihnin për trimërinë dhe guximin e tij në luftëra. Shokët e Profetit a.s u gëzuan shumë kur e panë. Kur iu afrua Profetit a.s, i tha:”Kam ardhur të ndjek dhe të përfitoj nga ajo që do të përfitoni ju.” Profeti a.s e pyeti:”A beson tek Zoti dhe i dërguari i Tij?” Habib iu përgjigj:”Jo.” Profeti a.s i tha:”Atëherë kthehu, se nuk e duam ndihmën e një idhujtari!” Megjithatë, ai vazhdoi të insistojë kurse Profeti a.s e refuzonte, derisa më në fund pranoi islamin. Kjo e gëzoi Profetin a.s, i cili i tha:”Tani hajde!”

E njëjta gjë ndodhi edhe me Ebu Kajs ibnu Muharreth, i cili kërkoi të marrë pjesë përkrah myslimanëve kundër mekasve, edhe pse ishte idhujtar. Por Profeti a.s e ktheu pas, ngaqë nuk pranoi islamin dhe ai u kthye në Medine.

Shohim që profeti Muhamed a.s, i cili në këtë rast përfaqësonte komandantin e ushtrisë, refuzoi të pranojë ndihmën e idhujtarëve kundër një grupi idhujtarësh të tjerë. Një qëndrim i tillë në momente lufte, është manifestim i qartë i luftës së ndershme dhe parimore, e cila nuk bëhej thjesht për ta thyer tjetrin dhe mposhtur. Ky qëndrim profetik, na tregon se lufta në islam nuk bëhet veçse për besimin dhe në një rast të tillë, ne si myslimanë nuk na lejohet të kërkojmë ndihmën e idhujtarëve kundër idhujtarëve.

Imagjinoni pak si është ndjerë ushtria mekase, kur kanë dëgjuar se ushtria myslimane i ka refuzuar aleatët e saj idhujtarë. Kjo, në një kohë kur në luftërat para islamit, fiset arabe kërkonin ndihmë kundër njëri-tjetrit nga njerëz të ndryshëm, pa pyetur për fenë dhe besimin, njerëz të mirë apo të lig. E rëndësishme ishte që ata të fitonin kundër hasmit, ta thyenin dhe ti merrnin pasuritë, pa ia ditur për vlerat dhe moralet.

Sakaq, udhëheqja myslimane hedh bazat e moraleve ushtarake në luftëra, duke i joshur ushtarët e armikut të cilët janë përgatitur për të luftuar myslimanët. Një qëndrim i tillë ka dhe dimensione mediatike, pasi ushtria islame në këtë rast shfaqet si ushtri që kërkon të mirën, ushtri e cila respekton besimin e tjetrit saqë refuzon të pranojë ndihmën e një idhujtari kundër një idhujtari tjetër.

Komandanti dhe ushtarët janë një

Transmeton Ibnu Mesudi dhe thotë:”Rrugës për në Bedër, udhëtonim tre veta me një deve. Ebu Lubabe dhe Ali ibnu Ebi Talib, ndërronin devenë me Profetin a.s. Kur u vinte radha për të hipur në deve Aliut dhe Ebu Lubabe, i thonin Profetit a.s:”Ne do të ecim kurse ti qëndro hipur në deve.” Por Profeti a.s ua kthente:”Ju nuk jeni më të fuqishëm se unë, e as unë më pak i nevojshëm për sevap sesa ju.”

Një komandant i mirë është ai që i ndan vështirësitë me ushtarët e tij dhe i motivon në punë të mira, duke u bërë modeli më i mirë për ushtarët në çdo situatë. Komandant i suksesshëm dhe model nuk ka si të jetë ai që qëndron në fund të ushtrisë, duke shijuar kënaqësitë e kësaj bote, ndërkohë që ushtarët e tij heqin të zitë e ullirit.

Konsultimi

Teksa Profeti a.s dhe myslimanët po kalonin luginën Dhefiran, dëgjojnë se karvani i Ebu Sufjanit u kishte ikur. Tashmë ishte e pashmangshme lufta me ushtrinë e kurejshëve. Menjëherë, Profeti a.s u konsultua me myslimanët dhe u paraqiti situatën. Sipas tij, dy ishin alternativat e mundshme; ose të luftonin me mekasit, ose të ktheheshin në Medinë. Ai iu drejtua njerëzve me fjalët:”Më jepni mendimin tuaj o njerëz!” U ngrit Ebu Bekri dhe foli për gatishmërinë e tij dhe të myslimanëve për ti shkuar pas Profetit a.s. Megjithatë, Profeti a.s sërish kërkoi mendimin e njerëzve. Mandej u ngrit Umeri, Mikdad ibnu Amr etj… dhe u treguan të gatshëm ti shkojnë pas Profetit a.s në çdo gjendje. I fundit që u ngrit dhe që e mbylli këtë çështje ishte Sad ibnu Muadh. Kështu, myslimanët zgjodhën alternativën e luftës me mekasit.

Këtu shohim që shoqëria islame e konsideron këshillimin dhe konsultimin si diçka të shenjtë dhe një nga shtyllat kryesore të strukturës së saj.

Kjo, ndërkohë që Evropa vuante nga pushteti diktatorial i kishës, ku ushtarët lidheshin me zinxhirë në luftëra, me qëllim që të mos ia mbathnin. Për tu këshilluar me ta as që bëhej fjalë, pasi gjykimet e tyre nuk kishin asnjë vlerë.

Ndalohet marrja e informacionit me dhunë

Profeti Muhamed a.s na ka ndaluar që njerëzve t’ua marrim informacionin me dhunë. Një natë para betejës së Bedrit, Profeti a.s dërgoi Ali ibnu Ebi Talib në një mision sekret për grumbullimin e informacionit. Aliu arriti të kapë dy skllevër të rinj në moshë, të cilët kishin dalë për të mbushur ujë për mekasit. Ai i solli tek kampi i ushtrisë myslimane, ndërkohë Profeti a.s po falej. Kur i pyetën, ata u thanë se kishin dalë të mbushin ujë për kurejshët. Myslimanët filluan ti qëllojnë dhe keqtrajtojnë, saqë dy të rinjtë u detyruan ta ndryshojnë opsionin e tyre. Kur Profeti a.s përfundoi namazin, u drejtua myslimanëve me një gjuhë të ashpër:”Për Zotin po shoh çudi! Kur u tregojnë të vërtetën, ju i rrihni, e kur u gënjejnë i lini të qetë. Ata po thonë të vërtetën. Për Zotin ata janë të kurejshëve.”

I tillë ishte trajtimi i personave që kapeshin nga shërbimet sekrete myslimane. Askujt nuk i lejohej tortura edhe pse bëhej fjalë për marrje informacioni. Kështu, ky parim islam është sanksionuar para traktatit të Gjenevës së vitit 1949, sipas të cilit ndalohet torturimi i robërve për tu nxjerrë informacion.

Profeti Muhamed a.s i ka konsideruar si krime, aktet e dhunës që ushtrohen mbi robërit për tu marrë informacione ushtarake.

Edhe pse perëndimi e ka njohur traktatin e Gjenevës, pothuaj askush prej tyre nuk e respekton. A nuk e kemi parë të shkelet këtë traktat si në Irak, Iran dhe në Palestinë?

Respektimi i mendimit të ushtarëve

Kur myslimanët mbërritën në Bedr, u vendosën tek burimi i fundit i ujit. Menjëherë ngrihet Hubab ibnu Mundhir dhe i kërkon Profetit a.s që ushtria myslimane të vendoset tek burimi i parë i ujit, pranë ushtrisë armike. Kështu, myslimanët do të mund të pinin ujë, kurse ushtria armike jo. Profeti Muhamed a.s i tha:”Ky është mendim i drejtë.” Dhe menjëherë urdhëroi që ushtria të vendosej atje ku mendonte ky ushtar. Kjo, edhe pse Profeti a.s ishte komandanti kryesor i ushtrisë dhe i shpallej Kurani nga qielli.

Një ngjarje e tillë flet mbi marrëdhëniet mes komandantit dhe ushtarëve, të cilat karakterizohen nga respekti për mendimet e dhëna, gjë e cila i stimulon mendimet dhe idetë pozitive.

Drejtësia mes komandantit dhe ushtarit

Ndodh rrallë në historinë e luftërave të shohim të funksionojë drejtësia mes komandantit dhe ushtarit. Historia njerëzore është e mbushur me raste shtypje dhe persekutimi të komandantëve ushtarake ndaj ushtarëve. Sakaq, Muhamedin a.s e shohim në fushën e betejës duke dalë nga rreshti me qëllim që një nga ushtarët e tij të marrë hakun. Ushtari në këtë rast ishte Sevad ibnu Gazime. Teksa Profeti a.s po drejtonte rreshtin e ushtarëve, e kishte qëlluar me një shigjetë pa majë në bark. Sevad i thotë:”O i dërguar i Allahut, më lëndove! Ty të ka dërguar Zoti të vendosësh drejtë, prandaj unë dua të marr hakun.” Menjëherë, Profeti a.s ngriti këmishën, zbuloi barkun dhe i tha:”Po, merre hakun o Sevad!” Ai e shtrëngoi fort Profetin a.s dhe filloi ti puthë pjesën e zbuluar të barkut.

Profeti a.s e pyeti i habitur:”Ç’të detyroi ta bësh këtë o Sevad?”

Sevad u përgjigj:”O i dërguar i Allahut! Ne jemi para një beteje dhe doja që të jetë lëkura jote gjëja e fundit që prek para se të vritem.”

Dialog para betejës

Para se të fillojë beteja, Profeti a.s u çoi fjalë mekasve që të arrihet një paqe mes dy ushtrive, me qëllim që të mos derdhet gjak. Kështu, me tu instaluar ushtria pagane në Bedër, Profeti a.s dërgoi Umer ibnul Hattabin, i cili kishte qenë i dërguari i mekasve para se të bëhej mysliman. Umeri u kërkoi të ktheheshin në Mekë, me qëllim që të mos derdhej asnjë pikë gjaku mes dy palëve. Menjëherë, ngrihet Hakim ibnu Huzam, një nga burrat e meçur të Mekës dhe thotë:”Ai u ofroi një marrëveshje, të cilën bëni mirë ta pranoni. Pasha Zotin nuk do mund të fitoni pas kësaj oferte që na kanë bërë.” Por Ebu Xhehli ia priti:”Për Zotin nuk kthehemi mbrapsht tani që i kemi në dorë.”

Edhe pse ishin në momentet e fundit para se të fillojë lufta, Profeti a.s bënte ç’mos që të mos lejojë gjakderdhjen, ai i besonte dialogut para përplasjes.

Mirënjohës me idhujtarët

Lidhur me robërit e kapur në Bedër, Profeti a.s pati thënë:”Nëse Mutam ibnu Adij do të ishte gjallë dhe do të ndërmjetësonte për robërit e Bedrit, do i lija të lirë.”

Kjo, sepse Mutam ibnu Adij e mori në besë Profetin a.s menjëherë pas kthimit të tij nga Taifi. Kjo, në një kohë kur të gjithë kishin hequr dorë prej tij dhe ndihej seriozisht i kërcënuar nga Ebu Xhehli dhe suita e tij.

Mutam ibnu Adij pati vajtur tek kuvendi i kurejshëve dhe u pati thënë:”Unë e kam marrë në besë Muhamedin, prandaj askush mos e prekë.”

I dërguari i Zotit a.s nuk ia harroi këtë të mirë.

Para betejës, Profeti a.s i pati porositur shokët e tij:”Kush e sheh Ebul Buhturij ibnu Hisham të mos e vrasë! Kush e sheh Abas ibnu Mutalib mos e vrasë, pasi ka ardhur i detyruar!”

Abasi kishte pranuar islamin por nuk e kishte deklaruar. Ai u dërgonte informacione myslimanëve të Medines lidhur me situatën në Mekë. Sakaq, Ebul Buhturij kurrë nuk u kishte bërë keq myslimanëve, madje i kishte ndihmuar gjatë viteve të bojkotit. Ai kishte bërë çmos që ta prishë bojkotin dhe për këto virtyte, Profeti a.s donte ta nderojë. Lidershipi islam gëzon respekt dhe mirënjohje për njerëzit dinjitozë, edhe pse janë idhujtarë.

Mbajtja e besës

Thotë Hudhejfe ibnu Jemam:”Kur unë dhe babai u nisën nga Meka për në Medinë, kurejshët na ndalën dhe na pyetën:”Ju po shkoni tek Muhamedi?!” Ne u thamë:”Jo, po shkojmë në Medine.” Ata na kërkuan besën e burrit që nuk do të shkojmë në Medine dhe nuk do të luftojmë në krah të Muhamedit. Pasi mbërritëm në Medinë, i treguam Profetit a.s për këtë ndodhi dhe ai nuk na lejoi të marrim pjesë në Bedër, pasi kishim dhënë besën.”

Ky qëndrim i Profetit a.s hyn tek etika e luftës në islam. Asnjëherë në historinë njerëzore, nuk është shënuar një qëndrim i ngjashëm me këtë. Në rastin e mësipërm, shohim që lidershipi mysliman i respekton marrëveshjet pikë për pikë. Edhe pse kjo marrëveshje është firmosur nën diktatin e forcës, mes meksave dhe myslimanëve të dobët, ajo duhej respektuar nga myslimanët.

Nderimi i robërve

Pasi Zoti e shpërbleu profetin e tij me fitore në Bedër, myslimanët zunën shumë mekas robër. Profeti Muhamed a.s i shpërndau në shtëpitë e myslimanëve të cilët i porositi:”I trajtoni mirë!”

Tregon Ebu Aziz ibnu Umejr, vëllai i Musab ibnu Umejr, lidhur me eksperiencën e tij kur u zu rob nga myslimanët:”Unë u gjenda mes disa banorëve të Medines kur më sollën nga Bedri. Sa herë që ushqeheshin, ata më ofronin bukë, kurse për vete hanin disa kokra hurma, për shkak të porosisë së Profetit për mirësjellje me robërit. Sa herë që dikujt i gjendej ndonjë kothere bukë në duar, e ndante me mua. Unë ia ktheja, por ai insistonte derisa ta mbaja.” Këtë cilësi e ka konfirmuar dhe Zoti në Kuran, duke thënë:” Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë…” (Insan, 8)

Këto ishin moralet e vyera që mësuesi (Profeti a.s) kishte mbjellë në zemrat e shokëve dhe ushtarëve të tij. Një trajtim i tillë bëri që shumë nga robërit mekas të pranojnë islamin, siç është fjala me vëllain e Musab ibnu Umejrit. Ata u kthyen në Mekë dhe u treguan të gjithëve për moralet e Muhamedit, respektin dhe tolerancën e tij.

Jo torturimit të robërve

Kur Suhejl ibnu Amr, një nga krerët e Mekës ishte zënë rob në Bedër, Umer ibnul Hattabi vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Më lejo t’ia shkul dhëmbët e parë Suhejl ibnu Amr. Kështu nuk do mund të fyejë dhe ironizojë ty.” Suhejl njihej si orator dhe ironizonte myslimanët papushim.

Profeti a.s ia ktheu:”Unë nuk gjymtoj. Përndryshe do më gjymtojë Zoti, edhe pse jam profet.”

Kështu, Profeti a.s nuk e lejonte gjymtimin siç bënin njerëzit primitivë të asaj kohe me ushtrinë e thyer. Me këtë, Profeti a.s hidhte themelet e etikës së luftës. Atij i takon merita e ndalimit të keqtrajtimit dhe fyrjes së robërve të luftës.

I tillë ishte profeti i mëshirës në sheshin e luftës. Ai nuk e pranonte ndihmën e idhujtarëve kundër idhujtarëve, ishte pjesë e pandarë e ushtrisë, sillej me drejtësi, i respektonte idetë e ushtarëve, bisedonte me armiqtë, ishte mirënjohës me personat që e kishin ndihmuar, i respektonte robërit dhe nuk e lejonte keqtrajtimin.

Nga: Muhamed Musid Jakut