Vlerësoji mirësitë!

Një herë e një kohë, një burrë tepër i pasur, mori të birin dhe të dy u nisën në një udhëtim interesant, në një rajon të varfër. Këtë ai e bënte me qëllim që ti tregojë të birit jetesën e fukarenjve. Të dy së bashku, kaluan ditë e netë në një fermë ku banonte një familje e varfër.

Gjatë rrugës së kthimit, babai e pyet të birin:”Hë biri im, si tu duk ky udhëtim?”

I biri iu përgjigj:”Fantastik babi.”

Babai i tha:”A e pe si jetojnë të varfrit?”

I biri u përgjigj:”Po.”

I ati i tha:”Atëherë, më trego çfarë mësove nga ky udhëtim!”

I biri iu përgjigj:”Unë pashë se teksa ne kemi një qen të vetëm, ata kanë katër syresh. Ne kemi vetëm një pishinë uji në mes të kopshtit, kurse ata kishin lumenj e pellgje pafund. Ne kemi instaluar kushedi sa drita përreth shtëpisë dhe në kopsht, me qëllim që të ndriçojme ambientet, kurse ata kanë yjet që vezullojnë në qiell. Oborri i shtëpisë tonë përfundon tek muri që na ndan me shtëpinë tjetër, kurse oborri i tyre shtrihej në horizont. Ne kemi hapësira të kufizuara ku jetojmë e banojmë, kurse hapësirat e tyre ishin të pafund. Neve na shërbejnë shërbëtorët që kemi punësuar, kurse ata i shërbenin njëri-tjetrit. Ne i blejmë ushqimet, kurse ata ushqehen me prodhimet e tyre. Ne kemi ndërtuar mure të lartë për të na mbrojtur, kurse ata kishin miq e shokë që i mbronin.”

Babai e dëgjonte në heshtje të birin, pa folur fare. Mandej, i biri shtoi:”Të falënderoj nga zemra babi që më tregove praktikisht si jetojnë të varfrit.”

Morali:

A nuk tingëllon si një këndvështrim i mrekullueshëm, i cili të kujton të falënderosh Zotin për mirësitë që të rrethojnë, në vend të stresit dhe lakmisë për atë që nuk e ke? Thotë Zoti në Kuran:”Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato.” (Nahl, 18)

Nëse ti e ke një strehë, një vend ku fle, ushqim të mjaftueshëm dhe rroba që të mbulojnë trupin, dije se je më i pasur se një përqindje e madhe e njerëzimit.

Nëse ke të holla në xhep dhe ke vënë mënjanë një shumë të caktuar për kohë të vështira, dije se hyn tek 8 % e pasanikëve të botës.

Nëse sot je gdhirë me shëndet të mirë, dije se kjo është një mirësi e madhe, pasi mbi një milionë njerëz përreth botës, nuk do të mund të jetojnë më shumë se një javë për shkak të sëmundjes.