Një 26-vjeçar ka vdekur pasi nuk u ka mbijetuar plagëve të thikës të marra pas një përleshje në një kafiteri në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.
Policia e Kosovës ka njoftuar se mjeku ka konfirmuar vdekjen e E.I., ndërsa dy të dyshuar për këtë rast kanë marrë trajtim mjekësor.
Në njoftimin për media të Policisë së Kosovës në Ferizaj mëtutje thuhet se në vendin e ngjarjes është konfiskuar thika me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra.
Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit D.SH. 29 për veprën penale “vrasje e rëndë” është marrë masa e ndalimit policor për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër M.M. i dyshuar për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” gjithashtu është marrë masa e ndalimit policor për 48 orë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa hetuesit policorë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit janë duke u marrë me rast.


