Watfordi bëhet klubi i tretë që kundërshton planin për terrene neutrale

Watfordi ka pasuar Brightonin dhe Aston Villan duke kundërshtuar publikisht zhvillimin e ndeshjeve në terrene neutrale, që është pjesë e projektit të propozuar për rifillim të Premier Leagues së Anglisë në futboll.

Udhëheqësi i Watfordit, Scott Duxbury thotë se kjo do të ndikonte në drejtësinë dhe integritetin e sportit.

Sipas BBC klubet nuk do të votojnë të hënën për atë se a të shfrytëzohen terrenet neutrale apo jo.

Votimi pritet të bëhet më vonë në maj. 14 prej 20 klubeve duhet të jenë pro në mënyrë që plani të realizohet.

Tashmë tri klube kanë kundërshtuar publikisht, por klube tjera mendojnë njëjtë. Para votimit, drejtuesit e ligës do të presin vendimin e qeverisë për lehtësim të masave. Ky vendim pritet në ditët e ardhshme.

“Unë absolutisht e pranoj që nuk mund të kemi shikues në stadiume”, ka shkruar Duxbury për The Times. “Por neve na është thënë se nuk mund të luajmë ndeshjet e mbetura në stadiumin tonë, pra duhet të heqim dorë nga avantazhi që sjell kjo. Me gjithë këto kompromise dhe rreziqe shëndetësore na kërkohet të përfundojmë një garë që nuk ngjan aspak me atë që kemi filluar. Kjo mund të përfundojë kohën e një klubi të vogël si Watfordi në Premier League”.

Ai ka pyetur nëse kjo është e drejtë.

“A ka ndonjë pamje të integritetit sportiv? Sigurisht që jo”, ka vazhduar Duxbury.