Xi dhe Putin do të bisedojnë për luftën në Ukrainë

Lideri i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do të diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe “temat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale” kur të takohen më vonë gjatë kësaj jave, tha Kremlini.

Xi nis sot udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i pandemisë në fund të vitit 2019.

Lideri kinez po kërkon që të fitojë mandatin e tretë si president, teksa raportet e Putinitn me Perëndimin janë përkeqësuar shumë për shkak të luftës në Ukrainë.

Xi nis vizitën e ti treditore në Kazakistan dhe pritet të mbërrijë të mërkurën. Ai do të takohet me Putinin të enjten në kuadër të samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO). Ky samit do të mbahet në Samarkand nga 15 deri më 16 shtator.
Putin po ashtu do të takohet me liderë të shteteve të tjera, përfshirë ata të Indisë, Pakistanit, Turqisë dhe Iranit, por takimi i tij me liderin kinez “është veçanërisht i rëndësishëm”, tha zëdhënësi për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov.

Ai tha se samiti do të mbahet në “sfondin e ndryshimeve të mëdha politike”.

Kina dhe Rusia janë pjesë e SCO-s qëkur kjo nismë u krijua më 2001. Në këtë nismë bëjnë pjesë ish-shtetet sovjetike në Azinë Qendrore dhe organizata për Bashkëpunim e Shangait shihet si alternativë për grupet multilaterale perëndimore.

Kina nuk është pjesë e sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës që ka nisur më 24 shkurt. Pekini po ashtu nuk ka dënuar këtë pushtim, por as nuk ka shprehur mbështetje publike për Moskën. /rel