Zbulohet një tjetër varrezë masive në Bucha

Një tjetër varrezë masive në Bucha të Ukrainës u zbulua së fundmi, njoftoi zyrtari rajonal, Andrii Nebytov në rrjetin social Facebook.

Ai shkroi të hënën se shtatë persona u torturuan e më pas u ekzekutuan brutalisht me plumba në kokë. Trupat e masakruar u gjetën në fshatin Mirotske. Një pjesë e viktimave i kishin duart dhe këmbët e lidhura, ndërsa ende nuk është bërë identifikimi i tyre.

“Ky është një tjetër krim sadist i ushtrisë ruse në rajonin e Kievit. Për çdo jetë të shkatërruar, për dhimbjen dhe vuajtjen e ukrainasve, për shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave tanë, pushtuesit duhet të përgjigjen”, shkroi Nebytov.

Masakra më e madhe e regjistruar deri më tani nga luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë u shënua në Bucha, më 1 prill. Të paktën 1000 civilë ukrainas u gjetën të masakruar, të lidhur e të vrarë. Trupat e tyre u gjetën nëpër rrugë, në bunare e të fshehur nën dhe. Ky akt u konsiderua si krim ndaj njerëzimit, e një pjesë e vendeve perëndimore e dënuan. /koha