Zelenskyy pas takimit me Macronin: Ukraina ka nevojë për “asistencë reale” krahas diplomacisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua sot në Paris me homologun francez Emmanuel Macron, ku mbërriti për të marrë pjesë në një samit të nivelit të liderëve të “koalicionit të të vullnetshmëve” për paqen në Ukrainë, transmeton Anadolu.

“Diplomacia dhe asistenca reale duhet të shkojnë dorë për dore”, tha Zelenskyy në një deklaratë në rrjetin social amerikan X pas takimit.

Ai theksoi nevojën urgjente për të forcuar mbrojtjen ajrore për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën kritike nga sulmet ruse, duke shtuar se “çdo dërgesë e raketave të mbrojtjes ajrore shpëton jetë dhe rrit shanset për diplomaci”.

Zelenskyy e përshkroi diskutimin me Macronin si “thelbësor” sa u përket kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës dhe “hapave të rëndësishëm politikë” që po përgatiten për samitin.

“Prandaj çdo takim duhet të japë rezultate konkrete – vendime të reja për mbrojtjen ajrore, paketa të reja ndihme dhe aftësi të reja për të mbrojtur qiellin”, tha ai, duke i falënderuar Macronin për lidershipin e tij.

Takimi u zhvillua para një samiti të nivelit të liderëve të grupimit prej 35 vendesh, të udhëhequr nga Britania dhe Franca, të cilat kanë mbështetur Ukrainën dhe janë të gatshme të dislokojnë trupa në rast armëpushimi me Rusinë.

Zelenskyy tha se takimi në Paris është “takimi më përfaqësues i Koalicionit të të Vullnetshmëve”, ku marrin pjesë krerë shtetesh, drejtues të organizatave ndërkombëtare, ministra dhe ambasadorë.

Pjesëmarrësit në samit janë mbledhur për të trajtuar gjendjen më të fundit të bisedimeve për arritjen e paqes në Ukrainë, zhvillimet në planet e paqes dhe rolin që do të luajë koalicioni në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Delegacioni amerikan përfaqësohet nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Gjatë fundjavës, këshilltarë të sigurisë kombëtare nga 15 vende, si dhe përfaqësues nga NATO dhe BE-ja, zhvilluan një takim në Kiev.

Më herët sot, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Francës, Fabien Mandon, shkroi në X se mori pjesë në një takim të shefave të shtabeve të përgjithshme në Paris, ku u diskutuan “garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe modalitetet e zbatimit të tyre”.