Zemaj për takimin e Haradinaj, Rakiq dhe Radojçiq: Kjo është fytyra e vërtetë e AAK-së

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka akuzuar partinë e Ramush Haradinajt për lidhje me Listën Serbe.

Reagimi i deputetit Zemaj ka ardhur pas takimit të kryeministrit Haradinaj me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin e këtij subjekti Milan Radojçiq.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se kjo është fytyra e vërtetë e AAK-së.

“Paradite akuzuan për aleanca me listën serbe. Ashtu siç ju thashë se kjo është nder vetëdijen tuaj si gjithmonë për tu mbrojtur nga shkeljet e vazhdueshme ligjore të këtyre individëve dhe strukturave qeveritare. Kjo u dëshmua menjëherë pasdite, duke pritur ne mënyrë solemne te dyshuarin për krim te organizuar, zhvatje, dhune dhe frikësim te qytetarëve te Mitrovicës veriore Milan Radojçiçin. Kjo është fytyra e vërtetë”, ka shkruar Zemaj.

Kujtojmë se sot në Kuvendin e Kosovës, deputeti Zemaj pati një përplasje verbale me deputetin e AAK-së, Daut Haradinaj, lidhur me Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në të cilin nuk morën pjesë në votim deputetët e LDK-së dhe VV-së.

Daut Haradinaj akuzoi LDK-në se kanë aleanca të brendshme me Listën Serbe.