ZRRE-ja s’mund të faturojë qytetarët për rrymën e shpenzuar në veri

Më 11 shtator të këtij viti, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës kishte pezulluar një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Vendimi që u referohej humbjeve të energjisë, i nxjerrë në vitin 2012, nuk do të mund të zbatohet, pasi që Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e ZRRE-së, raporton KTV.

Zyra për media e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka bërë të ditur për KTV-në se vendimi i Apelit, është marrë me datën 20 tetor, duke e vërtetuar kështu aktvendimin e Shkallës së parë.

Por, kjo nuk ndryshon asgjë, pasi që Zyra e Rregullatorit, nuk do të mund të marrë asnjë vendim në mungesë të anëtarëve në bord.

“Deri tash, ZRRE-ja nuk ka pranuar ndonjë vendim nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, duhet pasur parasysh se të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me shqyrtimet tarifore, sipas ligjeve të energjisë, janë kompetencë e bordit të ZRRE-së, i cili aktualisht nuk mund të marrë ndonjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit”, ka thënë Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publik në ZRRE.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, që e kishte iniciuar rastin në gjykatë në Express të KTV-së, thotë se hapi i ardhshëm, do të duhej të ishte kompensimi i qytetarëve, që do të mund të vinte, po ashtu, përmes një procesi gjyqësor.

Por, përveç faturave të rrymës, institucioni që udhëheq Jashari, po heton edhe situatën me faturat e ujit për pjesën veriore.

Faturat e ujit, energjisë dhe të shërbimeve të tjera komunale, që nga përfundimi i luftës, nuk janë paguar nga banorët e katër komunave në veri.

Përndryshe, Avokati i Popullit, në raportin e tij për faturimin e energjisë elektrike, kishte konstatuar se një praktikë e tillë, ishte në kundërshtim në ndër të tjera edhe me vetë Ligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjin për Energjinë Elektrike.