Fjala e Kryetarit të Shoqatës Kulturore Ardhmëria
Me emrin e Allahut, Zotit të dijes, udhëzimit dhe fuqisë.
Paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi shembullin e punës së sinqertë, të moralit të lartë dhe të dashamirësisë, Profetin Muhamed, salallahu alejhi ve selem.
Të nderuar vëllezër dhe motra krahëpërveshur, drejtues të degëve, të departamenteve, të instituteve dhe projekteve të Ardhmërisë.
Të nderuar anëtarë, bashkudhëtarë, bashkëthemelues dhe bashkëndërtues të Ardhmërisë.
Të nderuar ju, djersëpastër, djersëkristalë dhe mbështetës të kësaj pune tashmë historike.
Të nderuar kolegë hoxhallarë, edukatorë dhe ftues.
Të nderuar mësues, edukatorë, prindër dhe arsimtarë.
Të nderuar profesorë, akademikë, profesionistë dhe aktivistë në fusha të ndryshme të jetës.
Të nderuar intelektualë, njerëz të mendimit dhe të penës.
Të nderuar drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe të shoqatave të ndryshme në Shqipëri.
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve fetare, arsimore dhe kulturore të shtetit vëlla turk këtu në Shqipëri.
Të nderuar vëllezër, drejtues të shoqatave nga Kosova dhe Maqedonia.
Të nderuar nxënës, studentë dhe poststudentë.
Të nderuar dashamirës.
Të nderuar vëllezër dhe motra.
Në emrin tim dhe të gjithë Shoqatës Kulturore Ardhmëria, ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve ju, të ftuar, që u bëtë pjesë e këtij celebrimi të çerek shekullit të Shoqatës sonë dhe ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur: Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Paqja dhe mëshira e Allahut ju shoqëroftë në këtë botë dhe në tjetrën.
Sonte, në këtë fjalë të shkurtër, kam menduar të mos merrem me kronologjinë e Shoqatës Kulturore Ardhmëria, sepse kjo kronologji, veç faktit që dihet nga shumica juaj, do të vijë një ditë kur do të ketë strehë vetëm në libra apo në fletët e shkruara. Madje, nuk përjashtohet fare mundësia që atyre që e krijuan këtë histori të mos u mbetet vetëm emri nëpër arkivat e Ardhmërisë, por diçka është e sigurt: ky mund, djersë, përkushtim e vetmohim i derdhur ndër vite është regjistruar tek Ai i cili di gjithçka, di të dukshmen e të padukshmen, të afërmen dhe të largëtën, të brendshmen dhe të jashtmen. Është regjistruar tek Ai i cili nuk i bën padrejtësi askujt, madje, përkundrazi, shpërblen pa hesap. Është regjistruar tek Allahu, Zoti i të gjithë botërave, të Cilit i lutem ta pranojë të gjithë këtë mund dhe sakrificë çerek shekullore. Këtë pohim të mësipërm mbase do ta kisha të vështirë ta shprehja nëse nuk do të isha vetë pjesë e kësaj kronologjie që në gjenezën e saj.
Çfarë do të thotë çerek shekulli punë dhe veprimtari e vazhdueshme?
Në një bisedë shumë të veçantë të zhvilluar në vitin 2010 me profesorin e nderuar Ali Basha, Allahu e mëshiroftë, pata mundësinë t’i shtroja një pyetje me shumë kuptim për mua, për atë kohë dhe për këtë kohë, dhe besoj se nuk do t’i ikë koha ndonjëherë. Kjo pyetje më lindi gjatë kohës që po lexoja, gjoja me pretekstin e recensimit, librin e tij të fundit: Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri 1912–1967.
Profesor, si është e mundur që në vitin 1967 u shpall ateizmi i shtetit shqiptar, u mbyllën ligjërisht xhamitë dhe kishat dhe askush nuk u ngrit kundër apo të bënte rezistencë?
Më çuditi në fillim gëzimi i tij, i shoqëruar me një buzëqeshje të përshtatshme me rastin e kësaj pyetjeje. Por, me këtë reagim, më përcolli mesazhin se ishte pikërisht kjo pyetje arsyeja reale se pse ma kishte dhënë librin, gjoja për t’ia recensuar.
Sabaudin, në çfarë viti u instalua sistemi komunist në Shqipëri?
Në vitin 1945, iu përgjigja.
Në çfarë viti u deklarua zyrtarisht ateizmi i Shqipërisë?
Në vitin 1967, i thashë.
A do të thotë gjë për ty ky fakt? – Më pyeti sërish.
Për pak lundrova në mendime, por guxova t’i them: Mos e ke fjalën se kemi të bëjmë me një brez?
Sërish buzëqeshi, por tashmë edhe më me gëzim.
Sabaudin, a e di se sa vetë e falnin të xhumanë atë vit kur u shemb përfundimisht xhamia e Sulejman Pashës në qendër të Tiranës? Pra, në vitin 1967.
Jo, i thashë.
Vetëm pesë vetë dhe të gjithë ishin në moshë të thyer.
Sabaudin, në vitin 1967 nuk kishte mbetur kush që mund të ngrinte zërin për këtë çështje, sepse për 22 vite rresht ishte punuar fuqishëm dhe me të gjithë mekanizmat për të krijuar njeriun e ri, i cili ishte pararojë e fushatave për shembjen e xhamive dhe të kishave.
Që të dy, tashmë, pas kësaj bisede shumë origjinale mes një mësuesi dhe një nxënësi të etur, nuk e pamë më të nevojshme të diskutonim konkluzionet…
Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra,
Tashmë Ardhmëria është një shpresë e madhe për popullin dhe shtetin shqiptar dhe për institucionet e tij. Kjo për arsye se ky çerek shekulli punë ka mbrujtur me besim të thellë, dije të gjerë, moral të lartë dhe profesionalizëm të dalluar me dhjetëra dhe qindra të rinj dhe të reja, të cilët përfaqësojnë një angazhim cilësor intelektual dhe profesional kudo ku angazhohen, në sektorin publik apo atë privat.
Tashmë Ardhmëria përbën një burim të vërtetë përparimi dhe zhvillimi për vendin, popullin dhe shtetin shqiptar, sepse brezat e formuar dhe të kultivuar nga Shoqata Kulturore Ardhmëria janë edukuar me frymën dhe bindjen e thellë se angazhimi i tyre cilësor brenda shoqërisë dhe në të gjitha fushat e jetës është ibadet i madh dhe vepër që e do shumë Allahu i Madhëruar, si dhe një mundësi e madhe për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe Xhenetin e Tij.
Tashmë Ardhmëria përbën një burim të vërtetë sigurie dhe stabiliteti për popullin dhe për shtetin shqiptar, sepse këta breza janë mbrujtur dhe edukuar me bindjen dhe gatishmërinë për ta dashur vendin, shtetin dhe popullin e tyre më shumë se veten. E ajo që i jep qëndrueshmëri dhe garanci kësaj dashurie, përkatësie dhe lojaliteti është besimi në Allahun e Vërtetë e të Përjetshëm. Dhe duhet theksuar se kemi të bëjmë me një përkatësi dhe lojalitet të pakomprometuar nga pritja e kompensimit prej këtij populli apo këtij vendi, duke pritur shpërblimin nga i Vetmi Shpërblyes i Vërtetë, Allahu i Madhëruar, Zoti i të gjithë botërave.
Tashmë Ardhmëria ka vizatuar qartazi rrugën e saj, rrugën e një vizioni që lidh njerëzinë me Krijuesin e tyre, duke konkretizuar vlerat e besimit dhe fesë përmes përkthimit të tyre në dobi të robërve të Allahut, në dobi të vendit, të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Tashmë Ardhmëria ka krijuar një model të gjallë përmirësimi dhe përparimi të vendit dhe shoqërisë, atë të punës së gjatë dhe cilësore me njeriun, pra me brezat, duke iu përgjigjur bindshëm dhe fuqishëm ligjit të Zotit të gjithësisë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa të ndryshojnë veten e tyre.” (Kuran)
Vëllezër dhe motra,
Gjej rastin të theksoj se Ardhmëria nuk është Sabaudin Jashari apo pararendësit si unë. Ardhmëria nuk është zyrat apo objektet e saj. Ardhmëria nuk është as vetëm një grup vëllezërish dhe motrash të nderuar dhe të lartësuar, që po i shërbejnë me kaq përkushtim dhe vetmohim misionit të saj islam dhe kombëtar.
Por Ardhmëria tashmë është një frymë dhe ide e ndritur, e paqtë, e pranueshme dhe lehtësisht e perceptueshme, që është mbrujtur dhe përcillet përmes këtij modeli të ndërtuar me dekada punë cilësore dhe të sinqertë, mund të vazhdueshëm, sakrificë dhe vetmohim; model që do Allahun e Madhëruar dhe Profetin e Tij më shumë se gjithçka tjetër dhe do popullin, vendin dhe vatanin e tij më shumë se veten e tij, dhe që shpërblimin e këtij mundi dhe sakrifice e pret vetëm prej Allahut të Madhëruar, Zotit të gjithësisë.
Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra,
Nëse ju pyesin se kush është dhe çfarë është Ardhmëria, përgjigjuni shkurt: Ardhmëria është një frymë dhe ide që të vërtetën e ka nga Allahu, Zoti i drejtësisë absolute, të përcjellë brez pas brezi nga Profeti Muhamed (a.s.) deri në ditët tona. Pasaporta dhe nënshtetësia e saj është Shqipëria, datëlindja e saj është 15.11.2001.
Nëse ju pyesin kush e mbart këtë frymë dhe ide, përgjigjuni shkurt: brezat e edukuar ndër dekada.
Nëse ju pyesin cila është kauza e saj, përgjigjuni shkurt: ruajtja, mbrojtja, ndriçimi, zhvillimi dhe përparimi i vatanit dhe popullit shqiptar.
Nëse ju pyesin se çfarë qëndrimi keni ndaj politikës, përgjigjuni shkurt: politika jonë është shërbimi i pakushtëzuar në të mirë të vatanit, popullit dhe shtetit tonë.
Nëse ju pyesin cili është mekanizmi juaj kryesor për ndryshimin, përgjigjuni shkurt: puna me njeriun.
Nëse ju pyesin cilat janë burimet e financimit të saj, përgjigjuni shkurt: kristalet e djersës së pastër të bijve të saj.
E nëse ju pyesin nga buron forca dhe dinamika e saj, përgjigjuni shkurt: nga e Vërteta e saj, kauza e saj dhe bijtë e bijat e saj.
Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra,
Theksojmë me të madhe se Shoqata Kulturore Ardhmëria nuk është e vetmja, por është një nga shumë shoqata dhe organizime të tjera në truallin shqiptar, të cilat, po ashtu, kanë kontributin e tyre të vyer dhe të padiskutueshëm në edukimin e brezave me dije, me besim dhe me vlera, si dhe në përparimin dhe zhvillimin e vendit. Kjo bindje na ka bërë që të jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim konkret dhe vëllazëror në shërbim të fesë, të vatanit, popullit dhe shtetit shqiptar.
Së fundmi, më lejoni t’ju falënderoj edhe një herë të gjithëve që e ndatë me ne kohën dhe ditën tuaj për t’u bërë pjesë e këtij celebrimi kaq të rëndësishëm për ne.
Dhe më lejoni që, në mënyrë më të veçantë, të falënderoj bashkëudhëtarët dhe bashkëudhëtaret e mi më të ngushtë, krahëpërveshur në shërbim të drejtpërdrejtë të misionit islam të Shoqatës Kulturore Ardhmëria: drejtuesit e degëve dhe të departamenteve të ndryshme brenda degëve, drejtuesit e departamenteve qendrore, drejtuesit e projekteve dhe institucioneve të dala nga Shoqata Kulturore Ardhmëria, të gjithë kuadrin zyrtar dhe vullnetar të Ardhmërisë, të cilët, me përkushtim dhe sinqeritet të madh dhe të vazhdueshëm, i kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’i shërbejnë këtij misioni. Allahu ju shpërbleftë me të mirat e Tij më të mëdha dhe më të plota, juve, bashkëshortëve tuaj, fëmijëve, nipërve dhe mbesave tuaja, si dhe të gjithë familjarëve tuaj, në dynja dhe ahiret.
Një falënderim dhe dua të veçantë edhe për ata që kristalet e djersëve të tyre të pastra dhe frytet e mundit të tyre të madh dhe të lodhshëm i ndanë me ne ndër vite, në mbështetje të këtij misioni fisnik dhe largpamës. Allahu jua begatoftë mundin dhe djersën dhe ia pafshi hajrin në dynja dhe ahiret ju, bashkëshortet tuaja, familjarët tuaj dhe trashëgimtarët tuaj brez pas brezi. Allahu jua afroftë të mirin dhe fisnikun dhe ju mbrojttë nga i ligu dhe ciniku.
Një falënderim dhe dua të veçantë dhe të përshpirtshme për të gjithë bashkëpunëtorët dhe bashkudhëtarët tanë fisnikë dhe besnikë brenda vendit dhe jashtë tij, në nivel shoqatash, institucionesh dhe individësh, të cilët, pas Allahut të Madhëruar, kanë përbërë për ne, gjatë rrugëtimit tonë, frymëzim, mbështetje, shpresë dhe siguri. Qofshi faqebardhë dhe Allahu ju ruajtë, ju nderoftë e ju respektoftë, ashtu siç na keni nderuar dhe respektuar.
Falënderim dhe vlerësim të vërtetë edhe për të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, ato vendore dhe qendrore, arsimore dhe administrative, që na kanë hapur dyert e bashkëpunimit gjatë gjithë këtyre viteve dhe na kanë mundësuar të kontribuojmë me misionin tonë edhe në ato nivele.
Dhe falënderimi i plotë dhe absolut i takon vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, i cili na ka nderuar, begatuar dhe lartësuar, duke na përdorur në shërbim të këtij misioni kaq të lartë, misionit të të gjithë profetëve, misionit të vulës së të gjithë të dërguarve, Muhamed Mustafasë, salallahu alejhi ve selem.
Sabaudin Jashari
Kryetari i Shoqatës Kulturore
By: ardhmëriaonline.com







