A do të ketë sukses aleanca e së djathtës populiste të Evropës?

Vittor Orban

Javën që kaloi, kryeministri hungarez Viktor Orban u takua në Budapest me homologun e tij polak, Mateusz Morawiecki dhe kreun e LEGA-s italiane Matteo Salvini, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit midis tyre.

“Evropa ndodhet në një udhëkryq. Ajo ka humbur rrënjët e saj, dhe ne duam ta ndihmojmë që t’i rindërtojë ato rrënjë “- tha Morawiecki, në emër të partisë së presidentit polak Jaroslaw Kaczynski, Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Të tre këta politikanë kanë arsye të forta për të bashkuar forcat mes tyre. Orbán përballet me zgjedhje parlamentare vitin e ardhshëm, dhe ka përballë një opozite shumë të mobilizuar. Ai duhet të jetë në gjendje të tregojë se largimi i partisë së tij, Fidesz, nga Partia Popullore Evropiane (EPP) kohët e fundit,përbën kalimin në një fazë të re, dhe nuk është fillimi i fundit.

Salvini do të ishte i lumtur që të shmangte në maksimum lideren franceze të Tubimit Kombëtar Marine Le Pen, në grupin parlamentar Identitet dhe Demokraci në Parlamentin Evropian, diçka që për të është veçanërisht e pakëndshme tani që partia e tij mbështet qeverinë e kryeministrit italian Mario Draghi.

Ndërkohë, Kaczynski është i interesuar jo vetëm që të forcojë pozitat e partisë së tij në Parlamentin Evropian, por edhe të krijojë një kundërpeshë politike ndaj ndikimit gjerman në skenën evropiane – siç argumenton edhe eurodeputeti Witold Waszczykowki, anëtar i PiS dhe ish-ministër i Jashtëm i Polonisë.

Aktualisht, gati gjysma e eurodeputetëve në grupin Konservatorët dhe Reformistët Evropianë(ECR), vijnë nga radhët e koalicionit qeverisës të Polonisë. Meqë Brexit nxiti tërheqjen e Partisë Konservatore Britanike, ECR renditet tashmë i gjashti për nga madhësia në Parlamentin Evropian.

Nëse grupi i bashkohet Fidesz dhe LEGA, ai do të bëhej grupi i tretë më i madh në PE. Madje mund të bëhet i dyti për nga madhësia nëse ata do të arrijnë të bashkojnë të gjithë partitë anti-BE (siç dështuan në fakt ta bënin 2 vjet më parë, përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian).

Por edhe një aleancë midis PiS, Fidesz dhe LEGA-s mund të rezultojë e parealizueshme në praktikë, për shkak të ambicieve të ndryshme që kanë këto parti. Kaczynski do të ishte i lumtur të mirëpriste dy miqtë e tij në një ECR të zgjeruar, por Orban mund të preferojë të krijojë një grup krejtësisht të ri, për të shmangur shndërrimin në një partner të vogël të Kaczynski.

Edhe Salvini mund të dëshirojë t’i mbajë të hapura opsionet e tij. Me sa duket, disa anëtarë të partisë së tij duan që t`i bashkohen Partisë Popullore Evropiane. Ashtu si Orban, edhe ai do të përshtatej në grupimin ECR, për sa kohë që Fratelli d’Italia, rivali i tij i brendshëm në të djathtën ekstreme, është ende pjesë e këtij grupimi.

Por edhe nëse do të gjenin një mënyrë për të punuar bashkë, ata do të ndaheshin në lidhje me politikën e jashtme. PiS, Fidesz dhe LEGA mund të jenë të bashkuar në pakënaqësinë e tyre të përbashkët lidhur me drejtimin në të cilin po lëviz Bashkimi Evropian, dhe me rolin udhëheqës që kanë në bllok Gjermania dhe Franca.

Por pikëpamjet e tyre gjeopolitike janë në thelb të ndryshme. Këto ndryshime, reflektohen edhe tek bindjet e mbështetësve të tyre, siç tregohet edhe nga një sondazh që zhvilloi në nëntorin e vitit të shkuar Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

69 për qind e votuesve të PiS thonë se Shtetet e Bashkuara janë partneri më i rëndësishëm i vendit të tyre, krahasuar me më pak se 10 për qind për Kinën dhe Rusinë të marra së bashku. Ndërkohë, vetëm rreth 1/5 e votuesve të Fidesz e konsiderojnë SHBA-në si partneren kryesore të vendit të tyre, ndërsa më shumë se 20 për qind preferojnë Kinën dhe Rusinë.

Mbështetësit e LEGA-s në Itali, janë diku mes tyre. Ata kanë instinkte relativisht të forta transatlantike. Por mendojnë se është e rëndësishme që të mbahen marrëdhënie të mira edhe me Kinën dhe Rusinë. Simpatia e Salvinit ndaj presidentin rus Vladimir Putin nuk është ndonjë sekret.

Gjithsesi, mbështetësit e të tre partive kanë më pak të ngjarë se sa bashkatdhetarët e tyre, që ta konsiderojnë Gjermaninë si partneren kryesore të vendit të tyre. Mbështetësit e LEGA-s e konsiderojnë Kinën një partnere më të rëndësishëm sesa Gjermaninë.

Dhe vetëm 7 për qind e votuesve të PiS, e shohin si të nevojshme pasjen e marrëdhënieve të mira me Gjermaninë, ndonëse kjo e fundit është deri më sot partneri më i madh tregtar i Polonisë, si dhe punëdhënësi më i madh i huaj i punëtorëve polakë.

Interesant është fakti që mbështetësit e PiS hezitojnë ta vendosin Gjermaninë edhe në vendin e dytë, duke preferuar në vend të saj Britaninë e Madhe. Kjo qasje mund të jetë pasqyrë e fobive e vjetra anti-gjermane në shoqërinë polake, të shfrytëzuara me zell nga PiS dhe media pro-qeveritare.

Por gjithashtu kjo mund të ketë lidhje me mosmarrëveshjen e PiS me Bashkimin Evropian mbi sundimin e ligjit. Kësisoj, nëse duhet një armik i përbashkët për ndërtimin e një aleance të dobishme, të tria palët mund ta gjejnë një të tillë.

E megjithatë, ata janë larg të pasurit lista identike të armiqve dhe miqve të tyre. Për PiS, Rusia është ende një problem shumë më i madh se sa BE-ja. Të bashkëpunuarit ngushtë me partitë që flirtojnë hapur me Moskën nuk është thjesht e vështirë në praktikë, por edhe më e vështirë për t’ua shpjeguar votuesve në shtëpi.

Ndërkohë,ata nuk kanë të njëjtin nivel qasje anti-BE. Gati 8 në 10 mbështetës të LEGA-s, dhe gati 6 në 10 mbështetës të Fidesz, besojnë se sistemi politik i BE-së është i prishur – por vetëm rreth 4 në 10 votues të PiS kanë këtë pikëpamje.

Njëherazi, shpresat e Varshavës për të ruajtur një marrëdhënie të fortë me Uashingtonin (pavarësisht nga fundi i presidencës Trump), mund të përplasen me simpatitë e Orban dhe Salvini për Moskën dhe Pekinin.

Kur ministri i jashtëm hungarezi cilësoi si “të pakuptimta” dhe “të dëmshme”, sanksionet e BE-së ndaj Kinës për shkeljet e kësaj të fundit ndaj të drejtave të njeriut, ai po kritikonte jo vetëm bllokun, por edhe përpjekjet e aleancës perëndimore që koordinuan këtë veprim.

Prandaj, të tria partitë mund ta kenë të pamundur të flasin njëzëri për çështjet aktuale si furnizimi me vaksinat anti-Covid, ndërtimi i rrjeteve 5G, të drejtat e njeriut në Kinë, situata politike në Bjellorusi, politika energjetike apo autonomia strategjike e Evropës.

Ndërkohë, ato mund t’i ndajnë edhe disa çështje të brendshme të BE-së. Për shembull, LEGA është kritike ndaj emigrimit brenda bllokut, gjë që për shoqëritë e Evropës Qendrore përbën një përfitim thelbësor nga anëtarësimi në BE.

Është e vërtetë, të tria partitë janë ose në pushtet, ose pjesë e një koalicioni qeverisës. Kjo e shton interesin e tyre për të shpenzuar si duhet Fondin e BE-së për Rimëkëmbjen nga Koronavirusi. Duke pasur parasysh ndryshimet e pashmangshme në politikën e jashtme midis tria partive, ata duhet të pyesin veten nëse ia vlen të përpiqen të ndërtojnë një aleancë të tillë. Nga Pawel Zerka, European Council on Foreign Relations /abcnews