A lahen kufomat e të vdekurve si rezultat i tërmeteve?

Dr. Bashkim Aliu

Komisioni për Ixhtihad dhe Fetva pranë Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë

Dispozita e varrimit të kufomave pa i larë

Pjesa më e madhe e dijetarëve islamë (xhumhuri) janë të mendimit se është obligim që të lahet kufoma e të vdekurit musliman. Ndërkaq, sipas një mendimi në Shkollën Juridike Malikite dhe atë Hanefite, larja e trupit (kufomës) të të vdekurit është sunet i fortë (sunne muekkede). Edhe mendimi i dytë merret parasysh.

Shkak i këtij mospajtimi është ajo se larja e kufomës është përcjellur si veprim prej të Dërguarit të Allahut, por jo edhe si thënie. Kjo, dhe praktika nuk ka një formë që aludon në obligim, apo vetë praktika si e tillë, pa u shoqëruar me urdhër, nuk ka kuptim obligimi. Po ashtu, larja e kufomës është përmendur si praktikë për t’ua mësuar njerëzve se si lahet kufoma, e jo si urdhër për t’u larë kufoma. Mendim më i mbështetur është i pari, gjegjësisht ai se larja e kufomës është obligim. Mirëpo, larja e kufomës si obligim, vjen në shprehje në kushte të zakonshme, ndërkaq në raste të jashtëzakonshme, siç janë tërmetet, katastrofat e mëdha që ndodhin në natyrë, ngritja e jashtëzakonshme e numrit të të vdekurve, lejohet që kufoma mos të lahet dhe të mjaftohet me dhënien “Tejemum” (Ritual simbolik me dhe) të vdekurit. Por, lejohet që të lihet edhe “Tejemumi” dhe i vdekuri të varroset me mbështjellësin ku është vënë pasi është nxjerrë prej nën rrënoja, derisa kjo imponohet nga domosdoshmëria, siç është numri i madh i të vdekurve, apo prishja e trupit për shkak të qëndrimit të gjatë nën rrënoja.

Në të drejtën islame janë miratuar një varg rregullash të cilat i marrin në konsideratë rrethanat e jashtëzakonshme dhe rastet e domosdoshme. Në këtë drejtim, mund të përmenden rregullat vijuese juridike: “Gjërat e domosdoshme i lejojnë gjërat e lejuara”, “Vështirësia tërheq lehtësim”, “Obligimet zbatohen vetëm kur ka mundësi”. Allahu i Madhërishëm ka thënë: <<…Dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…>> [El Haxhxh: 78].
Juristi Ed Desukij në “El Hashije” ka shënuar: “Nëse është e pamundur që kufoma të lahet, apo t’i jepet “Tejemum”, siç është rasti kur numri i të vdekurve shtohet në mënyrë enorme, larja e kufomës bie si obligim për shkak se është e pamundur të bëhet, edhe pse në parim larja e kufomës është e obligueshme. Mirëpo, nuk pezullohet falja e namazit të kufomave” (Ed Derdir, Esh sherhul kebir ve hashijetu Ed Desukij, vëll.I, f.408).

Komisioni për Ixhtihad dhe Fetva, konfirmon se i vdekuri i varrosur pa u larë dhe pa “Tejemum”, nuk humb gjë nga shpërblimi i tij. Me këtë varrim, muslimanët dhe familja e tij e kanë kryer obligimin ndaj të vdekurit dhe nuk obligohen me diçka më vonë.

Prej arabishtes: Bashkim Aliu