A lejohet t’i uroj ithtarët e librit për festat e tyre

Shejh Feisal Meulevij

Nga: Shejh Feisal Meulevij

Pyetje:”Unë jam një student mysliman dhe po mbroj doktoraturën në Gjermani. Falënderoj Zotin sepse jam mysliman praktikant, përpiqem ta mbaj fenë, kryej detyrimet fetare dhe bashkëpunoj me vëllezërit e mi në shërbim të fesë dhe komunitetin mysliman këtu, i cili është i konsiderueshëm.

Problemi të cilin dua ta shtoj në formë pyetje është nëse na lejohet t’i urojmë banorët vendas në festat e tyre kombëtare dhe fetare si krishtlindjet, festë e cila gëzon një shtrirje të gjerë. A na lejohet ne myslimanëve që jetojmë në perëndim, që kolegëve studentë, drejtuesin e tezës, kolegët e punës, komshinjtë etj… t’i urojmë për festat e tyre sipas zakonit?

E shtroj këtë pyetje, për shkak se kam dëgjuar disa vëllezër që mendojnë se kjo është haram, e ndaluar, madje konsiderohet nga gjynahet e rënda tek Zoti. Kjo, sepse është një lloj miratimi për fenë e tyre dhe pjesëmarrje në çështjet që u përkasin vetëm atyre.

Në fakt, duke i uruar dhe duke u bërë dhurata, nuk synoj aspak që të miratoj dhe aprovoj fenë dhe besimin e tyre, gjë e cila as që më shkon në mendje. Gjithçka që synoj është të sillem mirë me ta ashtu siç na urdhëron islami. Aq më tepër që ata na urojnë për festat tona, madje na bëjnë dhurata të ndryshme. Unë e shoh si sjellje të pahijshme dhe të pavend që kjo mirësjellje nga ana e tyre, t’u kthehet me fytyrë të ngrysur e të zymtë dhe injorim të festave të tyre. Një sjellje e tillë e paraqet myslimanin shumë të shëmtuar dhe të pasjellshëm, duke ndikuar negativisht drejtpërdrejt në imazhin e vetë islamit. Sidomos në këto kohë ku fushata antiislame është në kulmin e saj, ku myslimanët portretizohen si të dhunshëm dhe terroristë. Duke u sjellë vrazhdë, ne thjesht u ofrojmë një armë të fuqishme kundërshtarëve për të vërtetuar hipotezat dhe akuzat e tyre ndaj islamit dhe myslimanëve.

Shpresojmë nga shkëlqesia juaj që të na jepni pozicionin e islamit për çështje të tilla kaq delikate, nën dritën e ekuilibrave sheriatikë, ashtu siç na keni mësuar për çështje të ngjashme.

E lus Zotin që umeti mysliman të pëfitojë maksimalisht nga dijet tuaja të gjera dhe t’ju japë bereqet në punën dhe përpjekjet tuaja! Amin!

Përgjigje:”Nuk ka asnjë dyshim që shqetësimi që ju ngrini i përket një rëndësie të veçantë dhe delikate, ashtu siç e keni cekur dhe ju në fund të letrës. Në fakt, pyetje të ngjashme më janë drejtuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës nga vëllezër dhe motra, të cilët jetojnë në ato vende. Ata jetojnë pranë banorëve vendas të krishterë dhe kanë ndërtuar marrëdhënie të ndërsjellta, të cilat ua imponon vetë jeta atje. Ata kanë komshinj, kolegë pune, kolegë shkolle, profesorë etj… Shpesh herë, myslimani i ndjen nderet dhe privilegjet që gëzon në ato vende. Studentët myslimanë kanë drejtuesit e tezës të cilët i ndihmojnë maksimalisht dhe me sinqeritet. Të sëmurët myslimanë kurohen nga doktorë profesionistë dhe dashamirës etj… Në një thënie të urtë, thuhet se njeriu është peng i të mirës. Kurse një poet arab thotë:

Bëju mirë njerëzve të fitosh simpatinë

E mira të bën rob, ndihmoje njerëzinë

Atëherë, cili duhet të jetë qëndrimi i myslimanit karshi këtyre jomyslimanëve, të cilët nuk janë armiq të tyre, nuk i luftojnë për çështje feje, nuk i dëbojnë nga vendet e tyre dhe nuk i dhunojnë?

Kurani fisnik, në dy ajete ka vendosur ligje që rregullojnë marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve. Këto dy ajete gjenden në suren Mumtehine dhe janë shpallur për idhujtarët politeistë. Thotë Zoti në Kuran:

“Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë.” (Mumtehine, 8-9)

Duket qartë që dy ajetet bëjnë dallim mes ithtarëve të librit me të cilët myslimanët i lidh një marrëveshje paqeje dhe atyre që i luftojnë dhe janë agresivë ndaj myslimanëve. Me ata që jemi në gjendje paqeje, ajeti i parë kërkon që t’i respektojmë dhe të jemi të drejtë me ta. Respekti (el-birr) është duke u bërë mirë, duke i ndihmuar dhe duke u sjellë me edukatë, edhe duke bërë lëshime. Sakaq, drejtësia është duke kërkuar të drejtat e tua një për një. Respekti (el-birr) është që të drejtave të tij, t’i shtosh diçka më shumë nga ana jote. Kurse drejtësia (adl) është që t’i japësh hakun aq sa i takon, as më shumë e as më pak.

Kategoria e dytë, me të cilët Zoti na e ka ndaluar të lidhim miqësi dhe shoqëri, janë ata që manifestojnë shenja armiqësie me myslimanët, i dëbojnë nga tokat e tyre pa të drejtë, thjesht sepse besojnë në një Zot të vetë, ashtu siç vepruan kurejshët me myslimanët dhe profetin Muhamed a.s.

Lidhur me marrëdhëniet mes myslimanëve dhe ithtarëve të librit paqësorë, Zoti ka zgjedhur fjalën “el-birr” fjalë të cilën e ka përdorur vetëm për respektin e prindërve.

Imam Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Esma bintu Ebi Bekr se e ka pyetur Profetin a.s:”O i dërguar i Allahut! Nëna ime është pagane dhe i pëlqen ta respektoj dhe t’i bëj dhurata. A mund ta bëj këtë?” Profeti a.s ia ktheu:”Respektoje nënën tënde.”

Ky ishte qëndrimi i profetit Muhamed a.s me idhujtarët. Nëse kjo ndodh me idhujtarët, me ithtarët e librit është respekti dhe marrëdhëniet e mira janë akoma më të theksuara. Veç kësaj, Zoti na e ka lejuar ne myslimanëve të hamë nga ushqimet e tyre dhe të martohemi me vajzat e tyre. thotë Zoti në suren Maide:”Ju janë lejuar edhe

ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush,”(Maide, 5)

E lidhur ngushtë me këtë martesë, është dhe dashuria dhe aspekti sentimental mes dy bashkëshortëve. thotë Zoti në Kuran:”Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21)

E si të mos e dashurojë burri gruan e tij, amvisën e shtëpisë, shoqen e jetës dhe nënën e fëmijëve të tij? Marrëdhëniet mes bashkëshortëve, Zoti i përshkruan në Kuran me fjalët:”Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” (Bekare, 187)

Rrjedhojë e kësaj martese është dhe krushqia mes dy familjeve, e cila është një ndër lidhjet themeltare normale mes njerëzve, siç thotë dhe Zoti në Kuran:

”Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa.” (Furkan, 54)

Një rrjedhojë tjetër që lind nga kjo lidhje martesore është mëmësia, me të gjithë të drejtat që gëzon në islam.

Bazuar në këto që thamë, a mund të konsiderohet respekt, dashuri dhe miqësi e mirë, që në festat e kësaj bashkëshorteje dhe nëne, bashkëshorti të mos e urojë? Po fëmijët e këtij çifti, çfarë qëndrimi duhet të mbajnë ndaj gjyshërve nga nëna, dajat, tezet dhe fëmijët e tyre? A nuk ka detyrime ndaj tyre? Thotë Zoti në Kuran:”besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin.” (Enfal, 75)

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit.” (Nahl, 90)

Nëse obligimet karshi nënës dhe të afërmve, e detyrojnë myslimanin dhe myslimanen t’i ruajë të forta lidhjet e gjakut e farefisit me shpirtmadhësi, besnikëri dashuri dhe moral të lartë, obligimet e tjera e detyrojnë myslimanin të manifestojë moral dhe edukatë të mirë. Vetë i dërguari i Zotit a.s porosiste Ebu Dherin me fjalët:”Kije frikë Zotin kudo që të ndodhesh! Pasoje veprën e keqe me një të mirë, që ta fshijë! Sillu me njerëzit me edukatë!” (Tirmidhij, 1988)

Në veçanti, Profeti a.s na porosit që të sillemi me butësi dhe dashamirësi me jomyslimanët dhe na e ndalon çdo formë ashpërsie dhe dhune ndaj tyre.

Kur disa hebrenj vajtën tek Profeti a.s e shtrembëruan përshëndetjen islame me dashakeqësi duke i thënë:”Essamu alejke (vdekja qoftë mbi ty).” Aisheja i dëgjoi dhe ua ktheu me ashpërsi:”Mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi o armiq të Zotit!” Profeti a.s e kritikoi për këtë reagim, kurse ajo e irrituar i tha:”Po a nuk e dëgjove çfarë thanë o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Po e dëgjova dhe unë ua ktheva:”Dhe mbi ju!” O Aishe! Allahu e pëlqen sjelljen e butë në çdo rast.” (Imam Buhari dhe Muslim)

Ligjshmërinë e urimit të ithtarëve të librit me rastin e festave të tyre, e përforcon më shumë fakti që ata na urojnë me rastin e festave tona fetare. Feja jonë na porosit që të mirën ta shpërblejmë me të mirë dhe përshëndetjen ta kthejmë me një përshëndetje akoma më të mirë, ose ekuivalente të paktën. Thotë Zoti në Kuran:

“Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë!” (Nisa, 86)

Nuk i shkon për shtat një myslimani të jetë më pak zemërgjerë dhe me hise më të vogël morali dhe edukate se të tjerët. Prej myslimanit pritet niveli më i lartë i vlerave dhe moralit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Njeriu me besimin më të plotë, është ai që ka moralin më të lartë.” (Ahmed dhe Ebu Daud) “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet më të larta.” (Buhari)

Transmetohet se një mexhus (adhurues i zjarrit) e përshëndeti Abdullah ibnu Abasin me fjalët:”Esselamu alejkum (paqja e Zotit qoftë mbi ju!). Abdullah ibnu Abasi ia ktheu:”Ve alejkum selam ve rahmetullah (edhe mbi ty qoftë paqja dhe mëshira e Zotit).” Disa nga shokët e tij i thanë:”Kërkon mëshirë për të?!” Ibnu Abasi ua ktheu:”Po a nuk jeton falë mëshirës së Zotit?!”

Një sjellje dhe edukatë të tillë, e përforcon fakti që ne duam që këta njerëz t’i afrojmë me islamin dhe të japim një imazh të mirë për myslimanët. Diçka e tillë nuk arrihet me sjellje të thatë dhe injorim.

Vetë profeti Muhamed a.s karakterizohej nga edukatë dhe moral i lartë, marrëdhënie të dëlira edhe me idhujtarët mekas edhe pse ata silleshin keq, komplotonin dhe e keqtrajtonin atë dhe shokët e tij. Për shkak të moralit dhe vlerave që reflektonte, mekasit i besonin Profetit a.s amanetet e tyre kur ndiheshin të pasigurt. Kur Profeti a.s migroi për në Medine, la pas Aliun që të kthejë amanetet që mekasit kishin lënë në mirëbesim tek ai.

Bazuar në gjithçka që lartpërmendëm, nuk shoh gjë të keqe që myslimani, apo qendrat islame, t’i urojnë vendasit ithtarë të librit, gojarisht apo nëpërmjet kartolinave për festat e tyre fetare. Kjo, me kusht që kartolinat të mos kenë përmbajtje që bie ndesh me parimet islame si kryqi, sepse islami e refuzon idenë e kryqit. Thotë Zoti në Kuran:” Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur.” (Nisa, 156)

Fjalët e urimit me rastin e këtyre festave, zakonisht nuk përmbajnë miratim të fesë së tyre, por janë thjesht komplimente.

Nuk shoh gjë të keqe as në pranimin e dhuratave të tyre dhe anasjelltas, pasi vetë Profeti a.s i pranonte dhuratat e jomyslimanëve siç bëri me Mukaukis-in, mbretin e koptëve të Egjiptit dhe të tjerë. Kjo, me kusht që këto dhurata të mos jenë të ndaluara në islam, siç është alkooli, mishi i derrit etj…

Unë e di që disa fakihë myslimanë, si shehul islam, Ibnu Tejmije, e kanë shtrënguar çështjen e urimit për festat e idhujtarëve dhe ithtarëve të Librit, si dhe pjesëmarrjen në to.

Unë pajtohem me mendimin e Ibnu Tejmijes lidhur me atë që bëjnë disa myslimanë, të cilët u bashkëngjiten ithtarëve të librit dhe festojnë bashkërisht festën e krishtlindjeve, ashtu siç festojnë fitër dhe kurban bajramin. Diçka e tillë nuk lejohet. Ne kemi festat tona, sakaq ithtarët e librit kanë të tyret. Por kjo nuk më pengon t’i uroj ithtarët e librit për festat e tyre, sidomos nëse me ta më bashkon krushqi, komshillëk, partneritet etj…

Vlen për t’u theksuar se shehul islam, Ibnu Tejmije kishte këtë mendim, për shkak të rrethanave dhe situatës së kohës kur jetoi. Ndoshta, do të ishte mirë që ai të jetonte në kohën tonë dhe të shihte marrëdhëniet që janë krijuar mes njerëzve, afrimin e botës – e cila është shndërruar në një fshat të vogël – nevojën e myslimanëve për ndërveprim me jomyslimanët të cilët sot janë profesorët e tyre në teknologji dhe shumë degë shkencore, nevojën e thirrjes islame për t’u afruar me këta njerëz, paraqitjen e myslimanit me imazhin e butësisë jo dhunës, përgëzimit dhe jo kanosjes, të shihte që urimi i myslimanit për komshiun apo profesorin në rast festash, nuk përmban pranim dhe miratim të fesë e besimit të tyre të krishter, të shihte që vetë të krishterët i konceptojnë këto festa thjesht tradicionale e kombëtare, pa u besuar përmbajtjes së tyre fetare, për të ngrënë, kaluar pushime dhe shkëmbyer dhurata mes shokëve dhe familjarëve.

Besoj që po të jetonte Ibnu Tejmije në kohën tonë dhe të konstatonte atë që po ndodh, do të ndryshonte mendim, ose do e reduktonte në maksimum shtrëngimin. Është i ditur fakti, që Ibnu Tejmije – Zoti e mëshiroftë – i kishte parasysh kushtet, rrethanat, kohën dhe vendin në fetvatë e tji.

Gjithçka që përmendëm, vlen për festat fetare. Sakaq, për festat kombëtare, si festa e pavarësisë apo e bashkimit,festat shoqërore si dita e nënës, dita e fëmijës, dita e punëtorëve etj… nuk ka asgjë të keqe që myslimani ti urojë dhe të marrë pjesë në to, bazuar në faktin se është nënshtetas dhe banor i atyre vendeve. Prej tij kërkohet që t’u shmanget harameve me të cilat zakonisht shoqërohen këto festa. /ao