Abbas: Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se mbështetja e Jerusalemit të pushtuar është “një prioritet i udhëheqësve politik palestinez derisa të çlirohet nga okupimi izraelit”.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve “WAFA”, Presidenti Abbas mbajti një fjalim në takimin e mandatit të 31-të të Këshillit Qendror të Organizatës për Çlirimin e Palestinës në qytetin Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Duke theksuar se “nuk ka vlerë më të rëndësishme dhe më të lartë” se Jerusalemi, Presidenti Abbas tha: “Është prioriteti ynë të mbështesim rezistencën e popullit të Jerusalemit derisa të çlirohemi nga okupimi.”

“Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës dhe ne nuk kemi hequr dhe nuk do të heqim dorë prej tij. Ne do t’i japim çdo mbështetje atij dhe rezistencës së popullit të tij”, tha ai.

Palestinezët duan krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufirin e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Qeveria e Tel-Avivit e kundërshton kërkesën, duke thënë se “i gjithë Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit”.

Bisedimet e paqes midis Izraelit dhe Palestinës ngecën në prill 2014 sepse Izraeli “refuzoi të pranonte kufijtë e vitit 1967, nuk njohu të drejtën për t’u kthyer palestinezëve të nënshtruar migrimit të detyruar dhe refuzoi të ndalonte ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme hebreje”. /trt