ADS-TEC Energy është një nga prodhuesit më të fundit të pajisjeve të karikimit të veturave elektrike që njoftoi shtimin e opsionit të lidhësit të karikimit të North American Charging Standard (NACS) në Amerikën e Veriut.
Kompania me bazë në Gjermani, këtë javë konfirmoi se do të mbështesë të dy konektorët e karikimit të Combined Charging System (CCS1) dhe NACS në rajonin në fjalë. Kjo nuk është befasi, pasi që lista e prodhuesve të veturave elektrike, rrjeteve të karikimit, dhe prodhuesve të karikuesve që e mbështesin NACS-në vetëm shkon duke u zgjeruar çdo ditë e më shumë.
Thomas Speidel, drejtor ekzekutiv i ADS-TEC Energy deklaroi: “Sido që të duket një standard i së ardhmes në SHBA, ne mund të gjejmë dhe zhvillojmë zgjidhje për të. Duke u bazuar në zhvillimin tonë të thellë, ne jemi në gjendje të ndërmarrim veprim dhe të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje për veturat me konektorin NACS”, raporton InsideEVs
Gjëja kryesore në periudhën e tranzicionit nga CCS1 në NACS është të ofrohen të dy llojet e prizave, kështu që asnjë veturë elektrike nuk do të mbetet pas, pa një opsion karikimi. Këtu mund të jenë të dobishëm karikuesit me dy koka të ADS-TEC Energy (me dy priza për njësi).
Oferta e ADS-TEC përfshin karikues të shpejtë të bazuar në bateri ChargeBox, të cilët janë projektuar për zonat e brendshme të qyteteve si dhe për zonat rurale, ku lidhja me rrjetin është e kufizuar nga energjia.
Kapaciteti i baterisë është 140kWh dhe mund të mbështesë pikën e karikimit brenda një distance deri në mbi 100 metra.
Fuqia e prodhimit është deri në 320kW – duke supozuar të paktën 110kW fuqi hyrëse nga rrjeti – kur karikoni një veturë të vetme, ose 2 herë nga 160kW, kur dy vetura ngarkohen njëkohësisht. Sipas faqes së internetit të kompanisë, më shumë se 450 ChargeBox u janë dorëzuar klientëve deri më tani.








