Afër 200 mijë palestinezë falin xhumanë në Al-Aksa

Një numër i madh i palestinezëve vërshuan drejt Kompleksit Al-Aksa për të falur namazin e dytë të xhumasë këtë Ramazan, edhe përkundër pengesave dhe vështirësive të nxjerra nga ana e Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët kaluan pikat e kontrollit mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit nga orët e mëngjesit, duke pritur në radhë të gjata për të kaluar në Aksa pas një rrugëtimi që zgjati me orë.

Policia izraelite mbylli për qarkullim rrugët në Qytetin e Vjetër në Kudsin Lindor të okupuar, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti rrugor përveç autobusëve.

Sipas një deklarate me shkrim të Autoritetit të Vakëfeve Islame në Kuds, rreth 200 mijë palestinezë falën namazin e xhumasë në Aksa.

Duke folur në hutben e xhumasë, imami i xhamisë, Jusuf Ebu Sunejne, i bëri thirrje botës islame për unitet.

Ebu Sunejne vuri theksin mbi krizën në Gaza, duke thënë se armiqtë e fesë islame po mbjellin fara të përçarjes dhe hipokrizisë mes muslimanëve, të cilën ai tha se janë duke e bërë me sukses.

Palestinezët nga Bregu Perëndimor, të cilëve në ditë të zakonshme nuk u lejohet kalimi në Kuds, shkrepën fotografi kujtimi para Aksasë dhe Kupolës së Shkëmbit.

Pas namazit u krijuan turma të mëdha në portat e kompleksit ndërkohë që qindra policë izraelitë ishin në gatishmëri brenda mureve të Qytetit të Vjetër.

Ndërkohë, Izraeli pengoi hyrjen në Kuds të meshkujve të moshës nën 40 vjeç nga Bregu Perëndimor i rrethuar me Murin e Ndarjes (Muri i Turpit), ndërsa nuk lejoi edhe hyrjen e palestinezëve nga Gaza e bllokuar me afër dy milionë banorë.

Ndryshe, një numër i madh i pikave izraelite të kontrollit gjenden përgjatë murit të betonit të lartë pesë metra të ndërtuar në vitin 2003 mes Bregut Perëndimor të okupuar dhe Kudsit. Në ditë të zakonshme, Izraeli nuk lejon kalimin e palestinezëve të Bregut Perëndimor në Kuds, me përjashtim të lejeve të posaçme.

Ndërkaq, banorët e Gazës, që gjendet nën bllokadën e Izraelit, nuk kanë liri të udhëtojnë as në Kuds, e as në ndonjë vend tjetër.

Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor, ku ndodhet kompleksi Al-Aksa, mbahen të okupuara nga Izraeli që nga viti 1967.