Tiranët e justifikojnë padrejtësinë me pretekstin e mbrojtjes së shoqërisë.
“Unë kam frikë se ai do t’jua ndryshojë fenë ose do të përhapë çrregullim në tokë.” (Gafir, 26)
Faraoni nuk e pranoi se kishte frikë për pushtetin e tij. Përkundrazi, u paraqit si mbrojtës i fesë, i sigurisë dhe i rendit shoqëror!
Kjo është logjika e tiranëve në çdo kohë: interesat personale i paraqesin si interesa të përgjithshme, frikën nga humbja e pushtetit si shqetësim për sigurinë e popullit, ndërsa shtypjen e së vërtetës si domosdoshmëri për ruajtjen e rendit.
Ata fabrikojnë kërcënime për të justifikuar dhunën, krijojnë armiq për të përhapur frikë dhe shpikin vazhdimisht pretekste për të zgjatur sundimin e tyre dhe për të vazhduar padrejtësinë.
Sa herë që shtypja paraqitet si domosdoshmëri për ruajtjen e stabilitetit, lind pyetja: A po mbrohet vërtet shoqëria, apo po mbrohet pushteti i atyre që e sundojnë?
Historia e Faraonit na mëson se tirania nuk mbahet gjallë vetëm përmes forcës dhe dhunës, por edhe përmes manipulimit të së vërtetës, fabrikimit të frikës dhe keqpërdorimit të vlerave që shoqëria i konsideron të shenjta.
Sepse një nga aftësitë më të rrezikshme të tiranëve është ta paraqesin vazhdimin e tiranisë si kusht për shpëtimin e shoqërisë.
Hoxhë Rufat Sherifi








