Kur kërkojmë të shohim bukurinë e Muhamedit a.s., nuk mjafton të shohim vetëm fjalët e tij; duhet të shohim edhe dorën e tij kur zemërohej, gjuhën e tij kur kishte mospajtime dhe mënyrën se si e përdorte fuqinë kur e kishte atë në dorë.
Nëna e besimtarëve, Aishja r.a. përcjell një pamje që përmbledh një pjesë madhështore të moralit të tij. Ajo thotë:
«I Dërguari i Allahut a.s. nuk ka goditur kurrë me dorën e tij dikë, as fëmijë, as grua e as shërbëtor, përveçse kur luftonte në rrugën e Allahut.»
(Transmeton Muslimi.)
Ai nuk e shndërroi fuqinë në mjet poshtërimi, zemërimin në arsyetim për dhunë, e as edukimin në leje për ta lënduar atë që ishte nën kujdesin e tij.
Përkundrazi, ai edukonte me butësi, korrigjonte me urtësi dhe e trajtonte gabimin pa e shkatërruar dinjitetin e atij që kishte gabuar.
Prandaj vendosi një parim të madh edukativ dhe njerëzor:
«Butësia nuk gjendet në asgjë, veçse e zbukuron atë; dhe nuk hiqet nga asgjë, veçse e shëmton atë.»
(Transmeton Muslimi.)
Sa shumë kanë nevojë familjet tona sot për këtë udhëzim!
Që babai të mësojë se autoriteti nuk fitohet me të bërtitura; që nëna ta kuptojë se edukimi nuk ka nevojë për poshtërim; dhe që edukatori ta kuptojë se fëmija mund të harrojë shumë prej gjërave që i kemi mësuar, por mund të mos e harrojë kurrë se si e kemi bërë të ndihet për veten e tij.
Me qe e duam, le ta ndjekim shembullin e tij.
Të ndjekim shembullin e tij, që njerëzit ta shohin bukurinë e tij në moralin dhe sjelljen tonë.
Hoxhë Halil Avdulli








