Akademiku danez: Aneksimi i Grenlandës nga SHBA-ja do ta shkatërronte realisht NATO-n

Akademiku danez Peter Viggo Jakobsen tha se një ndërhyrje e mundshme ushtarake amerikane në Grenlandë do ta shkatërronte realisht NATO-n.

Jakobsen, një akademik në Kolegjin Mbretëror Danez të Mbrojtjes dhe Qendrën për Studimin e Luftës në Universitetin e Danimarkës Jugore, në një prononcim për Anadolu foli për kërcënimet e SHBA-së kundër Grenlandës, një territor i Mbretërisë së Danimarkës, pas ndërhyrjes së saj ushtarake në Venezuelë.

Jakobsen deklaroi se do të ishte “e lehtë” për SHBA-në të kryente një ndërhyrje në Grenlandë të ngjashme me atë që bëri në Venezuelë, pasi nuk ka forcë ushtarake në Grenlandë të aftë t’i rezistojë një ndërhyrjeje të tillë.

“Megjithatë, duket shumë e pamundur që ata ta bëjnë këtë, pasi kostot politike, ekonomike dhe strategjike do të ishin shumë më të larta”, shtoi ai.

Jakobsen thotë se SHBA-ja e ka përcaktuar prej kohësh Venezuelën si armike dhe se ndërhyrja ushtarake ndaj një vendi të tillë me pak miq në botë është situatë e ndryshme. “Përdorimi i forcës kundër një aleati si Grenlanda, e cila nuk përbën kërcënim për SHBA-në dhe pranon çdo kërkesë, është çështje krejtësisht e ndryshme”, tha ai.

– “Anijet ruse dhe kineze që kërcënojnë interesat e SHBA-së janë imagjinata të Trumpit”

Jakobsen theksoi se një ndërhyrje ushtarake në Grenlandë do të provokonte reagim të fortë. “Do të ishte veprim strategjikisht i pamatur dhe mund të rrezikonte jo vetëm NATO-n, por edhe aleatët e SHBA-së në Azi”, tha ai.

“Nuk ka asnjë anije kineze ose ruse që kërcënon interesat e SHBA-së veçanërisht në Grenlandë. Këto ekzistojnë vetëm në imagjinatën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ato nuk ekzistojnë në botën reale ku jetojmë ne të tjerët”, nënvizon akademiku danez.

Duke kujtuar se SHBA-ja ka përdorur retorikën e “interesit kombëtar” për Grenlandën që nga fillimi i viteve 1900, Jakobsen shpjegon se ia ka demonstruar këtë retorikë si Danimarkës ashtu edhe botës duke mbajtur baza në ishull që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas tij, retorika e SHBA-së në lidhje me Grenlandën nuk është e re. “Ajo që është vërtet e re, është mënyra e çuditshme se si SHBA-ja po e shfaq tani këtë interes të vazhdueshëm”, thotë ai.

– Çështja e Grenlandës do të vazhdojë të diskutohet

Më tej Jakobsen shton se Grenlanda ka qenë gjithmonë e rëndësishme për SHBA-në. “Është çelësi për rrugët detare, mineralet dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm të nevojshme kundër sulmeve bërthamore me rreze të gjatë veprimi nga Rusia dhe Kina”, tha ai.

Jakobsen përmendi gjithashtu deklaratën e kryeministres daneze Mette Frederiksen e cila tha se: “Nëse SHBA-ja vendos të nisë sulm ushtarak ndaj një vendi tjetër të NATO-s, gjithçka do të ndalet”.

Duke kujtuar këtë deklaratë të mëparshme, Jakobsen tha: “Nëse SHBA-ja anekson Grenlandën, kjo do ta vrasë realisht NATO-n. Sepse të gjitha vendet e NATO-s do të arrijnë në përfundimin se SHBA-ja nuk ka gjasa t’i ndihmojë ata në rast të një sulmi rus”.

Sipas tij, çështja e Grenlandës do të vazhdojë të diskutohet në ditët në vijim. “Hapi i vetëm konkret i administratës së Trumpit ishte emërimi i të dërguarit të posaçëm në Grenlandë dhe se aktualisht nuk ka asgjë për t’u marrë seriozisht”, tha ai.