Google ka njoftuar se sjell një sërë funksionesh të reja për qasje në pajisjet Android, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Ky përditësim synon të ndihmojë përdoruesit me vështirësi të shikimit, dëgjimit ose lëvizjes.
Përmes funksioneve të reja, përdoruesit mund të përfitojnë:
Diktim i avancuar me zë dhe mundësi për të redaktuar tekst vetëm me komandë zanore.
Mbështetje të zgjeruar për miun e jashtëm, me opsione për klik automatik dhe lloje të ndryshme klikimesh.
“Tituj ekspresivë” që jo vetëm shfaqin tekstin e të folurit, por edhe emocionet e bisedës në video ose transmetime live.
Guided Frame, një mjet që ndihmon personat me shikim të dobët të kapin foto të sakta, duke i treguar kur një fytyrë është në kadrin e duhur.
Lidhje më e lehtë me aparate dëgjimi që përdorin Bluetooth LE Audio, duke përmirësuar përvojën për përdoruesit me vështirësi dëgjimi.
Dark mode më i avancuar, që funksionon automatikisht në shumicën e aplikacioneve, edhe nëse ato nuk e kanë të integruar këtë opsion.
Google ka bërë të ditur se shumica e këtyre funksioneve janë tashmë të disponueshme, ndërsa disa të tjera, si përditësimi i TalkBack, do të shpërndahen gradualisht në pajisje.
Ky është një hap i madh drejt përmirësimit të përvojës digjitale për të gjithë përdoruesit, duke i bërë pajisjet Android më të qasshme dhe miqësore për të gjithë.








