Apple prezanton “iPhone X”, smartfonin që lë në hije të gjithë të tjerët

Një dekadë pas “iPhone”-t të parë, “Apple” ka prezantuar aparatin e saj të ri. Kompania ka zbuluar “smartphone”-n më të ri, me një ekran më të madh që nuk ka një buton fizik “home”.

“iPhone X” përdor sistemin e njohjes së fytyrës për të identifikuar zotëruesin dhe jo gjurmën e gishtit. “Apple” thotë se “FaceID” mund të funksionojë edhe në errësirë, duke përdorur 30 mijë pika infra të kuqe për të kontrolluar identitetin dhe është shumë më i vështirë të manipulohet, krahasuar me sistemin e vjetër “TouchID”.

Ky është “smartphone” më i shtrenjtë i “Apple” deri më tani. Një model me kapacitet 64 GB do të kushtojë 999 dollarë kur të dalë në shitje më 3 nëntor, ndërsa versioni 256 GB do të ketë një çmim prej 1.149 dollarësh. “Iphone X” është një investim afatgjatë i “Apple” dhe përcakton trendin e gjeneratës së re të “iPhone”-ve.

Një ekran “OLED” dhe dizajni i ri ka gjasa të përcaktojë një standard për “iPhone”-t e rinj. Më herët, kompania zbuloi “iPhone 8” dhe “iPhone 8 Plus”, që ishin të parët që kishin edhe opsionin e karikimit “ëireless”.

“Smartphone”-t e rinj kanë xham edhe në pjesën e pasme dhe procesorë më të shpejtë, sensorë të përmirësuar të kamerave dhe altoparlantë më të fuqishëm sesa modelet e mëparshme. “Iphone”-t e rinj koinçidojnë edhe me prezantimin e “IOS 11”, versioni më i fundit i sistemit operativ të “Apple”.

Prezantimi i “Iphone X” u bë në teatrin “Steve Jobs”, në kampusin e ri të “Apple”.