Arabia Saudite paralajmëron kundër ndryshimit të kushteve të armëpushimit në Gaza

Një zyrtare e lartë saudite ka kërkuar që të mos rinegociohen termat e armëpushimit në Gaza, duke paralajmëruar se çdo ndryshim në parimet e dakorduara mund të rrezikojë procesin.

Gjatë Forumit të Dohas 2025, Manal Radwan nga Ministria e Jashtme saudite tha se rezoluta e Këshillit të Sigurimit duhet të respektohet plotësisht.

“Ne nuk mund të rihapim diskutimin për atë që është përcaktuar tashmë — qoftë për armëpushimin, çarmatimin apo procesin e qeverisjes palestineze në Gaza,” u shpreh ajo.

Radwan tha se ndryshimi i definicioneve mund të çojë procesin në një rrugë dytësore, duke humbur fokusin te thelbi i konfliktit. Ajo theksoi se shumica e komunitetit ndërkombëtar pajtohet se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë përpara.

‘Gaza nuk është çështje e veçuar’

Ajo nënvizoi se Gaza duhet parë si pjesë e konfliktit të gjerë palestinez dhe se asnjë mekanizëm humanitar apo i sigurisë nuk ka sukses pa një vizion politik të qartë.

Sipas saj, ciklet e përsëritura të dhunës tregojnë se pa një shtet palestinez dhe pa garantimin e të drejtave të popullit palestinez, nuk mund të ketë siguri as për rajonin, as për Izraelin dhe as për botën.

Radwan shtoi se çdo fazë e marrëveshjes duhet të mbetet e lidhur me synimin final: krijimin e shtetit palestinez dhe integrimin rajonal.

Armëpushimi, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, ndaloi luftën dyvjeçare të Izraelit në Gaza, e cila ka shkaktuar më shumë se 70,000 të vrarë dhe mbi 171,000 të plagosur që nga viti 2023.

Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, si dhe planin për rindërtimin e Gazës dhe ngritjen e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin. /mesazhi