Arsenali synon kthimin në rrugën e duhur

Lideri i Premier Leagues, Arsenali, dhe kampioni në fuqi, Manchester City, me çdo kusht do ta kërkojnë kthimin te fitorja në vikend.

Ndërkohë Juergen Klopp, trajneri i Liverpoolit, ende është në kërkim të përgjigjeve se çfarë nuk po shkon te skuadra e tij.

Arsenali në xhiron e kaluar u mposht 1:0 në “Goodison Park” nga Evertoni. E pësoi humbjen e dytë të sezonit.

Skuadra që drejtohet nga Mikel Arteta, Arsenali, me Granit Xhakën në përbërje, e synon titullin e parë në 19 vjet.

Ka bërë rrugë të suksesshme, të paktën deri tani.

Në Premier League barazoi me Newcastlen, por i fitoi më pas derbit ndaj Tottenhamit dhe Manchester Unitedit, para se të mposhtej nga Evertoni në fundjavën e kaluar.

Arsenali të shtunën prej orës 16:00 luan në shtëpi kundër Brentfordit në kuadër të xhiros së 23-të, ndërsa javën tjetër e pret Manchester Cityn në shtëpi.

Statistikat në ndeshjet kundër kampionit në fuqi lënë shumë për të dëshiruar.

Arsenali ka humbur dhjetë ballafaqimet e fundit në Premier League nga Manchester City, me rezultatin e përgjithshëm, 26:3.

Test të vështirë në fundjavë do të ketë edhe Liverpooli, që zhvillon derbin “Merseyside” me Evertonin.

“Blutë” udhëtojnë te “të kuqtë” të hënën në ndeshjen që nis në orën 21:00 dhe që e mbyll këtë xhiro.

Liverpooli në “Anfield” ka statistikë të jashtëzakonshme kundër Evertonit.

Para se të mposhtej në shtëpi nga Evertoni në vitin 2021, nuk kishte humbur si vendas nga fqinji për afër dy dekada.

City të dielën prej orën 17:30 luan kundër Aston Villas, ndërsa Chelsea udhëton te West Hami, në ndeshjen e së shtunës që fillon në ora 13:30.