Ballina Artikuj Ata mbesin çlirimtarë, edhe nëse sot dënohen!

Ata mbesin çlirimtarë, edhe nëse sot dënohen!

Hoxhë Husamedin Abazi

Pas gjithë asaj që u zie e u përzie në kazanin e Gjykatën Speciale në Hagë, nuk do të befasohemi edhe nëse vendimi për Çlirimtarët tanë del sot ndryshe nga ajo që presim dhe dëshirojmë.
Por një gjë duhet ta kemi të qartë, sot dhe përgjithmonë:
Asnjë aktgjykim nuk mund ta fshijë historinë e një populli. Asnjë vendim gjykate nuk mund ta zhbëjë sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës!
Ne nuk duhet ta humbim busullën e luftës, të angazhimit dhe të kontributit që dhanë këta burra, bashkë me shumë të tjerë, të rënë e të gjallë, për ta dëbuar çizmen ushtarake serbe nga trojet tona, për ta fituar luftën, për ta ngritur shtetin dhe për ta realizuar ëndrrën shekullore të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Këta burra nuk janë vetëm emra në dosje gjyqësore. Ata janë pjesë e një historie që u shkrua me sakrificë, me guxim dhe me gjakun e dëshmorëve.
Nëse sot dënohen, ata nuk pushojnë së qeni Çlirimtarë!
Sepse çlirimtarët nuk i përcakton një aktgjykim. Ata i përcakton rruga që ndoqën, sakrifica që bënë dhe liria për të cilën luftuan.
Ky episod i rëndë i Hagës nuk është fundi i historisë sonë. Është një nga sprovat më të mëdha të durimit, të mençurisë dhe të largpamësisë sonë. Dhe, sado e vështirë të jetë, ne duhet ta përballojmë me dinjitet, të bashkuar dhe të përkushtuar.
Të mos harrojmë amanetin e atdhetarëve dhe dëshmorëve tanë!
Të mos lejojmë që dhimbja, zhgënjimi apo padrejtësia e perceptuar të na e humbë drejtimin.
Historia e Kosovës nuk u ndërtua brenda një dite dhe nuk mbrohet me zhurmë, por me kujtesë, unitet, mençuri dhe përkushtim.
UÇK-ja ka qenë dhe do të mbetet, në kujtesën dhe ndërgjegjen e shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm, simboli i luftës çlirimtare që solli lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë!
Zoti i ngrittë në shkallë të gjithë dëshmorët e kombit!
Respekt për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës!
KOSOVA ËSHTË E JONA! LIRIA ËSHTË AMANETI YNË! KUJTESA DHE DINJITETI JANË DETYRA JONË!

Hoxhë Husamedin Abazi