Atletico synon ta ndalë Realin në përballjen madrilene

Derbi i qytetit të Madridit do të jetë edhe përballja më interesante këtë vikend në futbollin spanjoll. Atletico Madridi e pret Real Madridin në stadiumin “Wanda Metropolitano” në tentim për t’ia ndalur serinë e jashtëzakonshme të këtij edicioni. Reali i prin tabelës me pikë maksimale pas pesë xhirove dhe është ekipi i vetëm në La Liga që i ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani. Për dallim prej Realit, Atletico ka vetëm dy fitore dhe shtatë pikë të mbledhura deri më tani. Me këtë derbi në fakt do të mbyllet xhiroja e gjashtë, pasi zhvillohet të dielën prej orës 21:00.

Barcelona që ka dy pikë më pak se Reali ka punë më të lehtë dhe do të përpiqet ta regjistrojë fitoren e katërt ndaj Celta Vigos, ekip me të cilin përballet të shtunën prej orës 18:30.

Ndeshja e parë e ditës së shtunë do të jetë ajo ndërmjet Gironas dhe Mallorcas të Vedat Muriqit. Muriqi xhiron e shkuar ia siguroi fitoren e parë Mallorcas dhe ekipi i trajnerit Javier Aguirre do të mbështetet sërish te sulmuesi kosovar për një rezultat tjetër pozitiv.

Real Sociedadi që barazoi në mesjavë me Interin në kuadër të Championsit do të luajë në shtëpi në këtë xhiro të La Ligas. Të dielën prej orës 14:15, Sociedadi luan kundër Getafes. Të njëjtën ditë luajnë edhe Rayo Vallecano – Villarreal, Las Palmas – Grandad e Real Betis – Cadiz, por më vonë.

Almeria që renditet e fundit në tabelë me vetëm një pikë përballet në shtëpi me Valencian që ka shënuar tri fitore e renditet lart. Kjo përballje luhet të shtunën mbrëma, saktësisht prej orës 21:00.