Balotelli zyrtarizon të ardhmen përmes një mesazhi

Aventura e Mario Balotelli te skuadra e Marsejës është mbyllur zyrtarisht sot.

Përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare Instagram, sulmuesi italian ka deklaruar se do të largohet nga skuadra ku mbërriti me shumë bujë dhe shpresa në merkaton e janarit nga Nisë.

Një lamtumirë që vjen pak ditë pas asaj të trajnerit Rudi Garcia, që e mbështeti sulmuesin Balotelli gjatë këtyre 5 muajve.

“Faleminderit të gjithëve për këto 5 muaj magjikë. Edhe pse nuk i arritëm objektivat që kishim vënë, dua të falënderoj trajnerin, stafin, lojtarët, presidentin dhe klubin. Të gjithë ata që punojnë tek Olimpik Marsejë. Dhe tifozëve… Faleminderit, shpresoj të rishihemi së shpejti, ose fat në vitet në vazhdim”, shkruan Mario Balotelli, duke konfirmuar largimin e tij.

Balotelli erdhi tek Marseja në merkaton e janarit dhe aventurën e tij me ekipin e trajnerit Rudi Garcia ai e nisi mirë, duke shkëlqyer në ndeshjet e para. Gjithsesi, rendimenti ra në javët e fundit, duke e mbyllur aventurën te kjo skuadër me një karton të kuq në ndeshjen e fundit ndaj Montepellier. Me skuadrën e Marsejës, sulmuesi realizoi 8 gola në 12 ndeshje.