Banorët e Hades dhe Shipitullës protestojnë kundër KEK-ut

Banorët e lagjeve “Krasniqi”, “Berbatovci”, “Mirena” dhe “Mjekiqi” të fshatit Hade dhe Shipitullë, kanë më shumë se 78 orë që janë duke protestuar para ekskavatorëve të KEK-ut, të cilët po punojnë afër shtëpive të tyre.

Këta banorë thonë se për shkak të këtyre punimeve atyre po u rrezikohet jeta, derisa shtojnë se edhe Ligji për Minierat dhe Mineralet distancën siguruese e parasheh 250m.

Ata ankohen se ekskavatorët janë duke zhvilluar punimet afër objekteve të banimit në afërsi prej 50-120 metra.

“Kryeinspektori i KPMM-se z. Fatmir Gërguri me urdhëresë të datës 06.07.2017 ua ka ndërprerë punën këtyre dy ekskavatorëve, kurse me datën 08.09.2017 e ka fuqizuar këtë urdhëresë, ndërsa prapë këta ekskavatorë po tentojnë me punu. Banorët po reagojnë, kurse institucionet po heshtin”, thuhet në e-mailin e dërguar nga organizatorët e kësaj proteste.

Ata kanë shtuar se KEK-u nuk ka licencë për operim në këtë zone për shkak se nuk e ka respektuar zonën e sigurisë në distancë prej 250m, sipas ligjit në fuqi.