Barcelona dhe Messi realizojnë ëndrrën e sirianes së re

Barcelona dhe ylli i saj argjentinas, Lionel Messi, kanë bërë të mundur realizimin e ëndrrave të një 18 vjeçareje, refugjate nga Siria, me emrin Nujeen Mustafa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e Barcelonës në Twitter, është publikuar një video në të cilën Nujeen, ndryshe një tifoze e flaktë e Barcelonës dhe Messit, takohet me ekipin dhe më pas ndjek ndeshjen e zhvilluar në Camp Nou.

Nujeen është e lindur në Halep me një paralizë cerebrale, që e ka bërë të lidhur me karrocën për invalidë, ndërkohë që nga shkaku i luftës që kaploi Sirinë ajo në vitin 2015 mbërriti në Këln të Gjermanisë.

Rrëfimin e saj për golgotën e përjetuar gjatë rrugëtimit deri në Gjermani, i ka treguar gazetares angleze Christina Lamb, e cila rrëfimin e shndërroi në libër, që bëri sirianen e re të jetë në vëmendjen e opinionit mbarëbotëror.

Pastaj Barcelona dhe lojtarët e saj, për të cilët siriania bën tifo, bën që te kjo vajzë të mbizotërojë ndjenja e gëzimit. Më saktësisht, autobusi me lojtarët e Barcelonës arriti para shtëpisë në Këln, ku jeton Nujeen, e mori dhe e çoi këtë vajzë të re në Spanjë, ku ju dha mundësia që të ndjek në Camp Nou ndeshjen mes Barcelonës dhe Celta Vigo, ku dhe mori një fanellë për dhuratë.

Pas kësaj vajza siriane u prit nga lojtarët e skuadrës, në mesin e të cilëve Lionel Messi, Andres Iniesta, Luis Suarez dhe Gerard Pique.

Nujeen gëzoi një vëmendje të veçantë të Messit nga i cili mori për dhuratë një fanellë me nënshkrimin e tij, ndërkohë që futbollistëve u dhuroi nga një libër për jetën e saj. “Kjo është dita më e bukur në jetën time. Falënderoj shumë Barcelonën dhe Mesin për këtë surprizë të madhe”, tha vajza siriane.