Barcelona fiton derbin ndaj Atletico Madridit

Ka përfunduar derbi që i kishte të gjitha në mes të Barcelonës dhe Atletico Madridit që u zhvillua në kuadër të javës së 23-të në La Liga me rezultat 4-2.

Pas vetëm tetë minutash lojë, mysafirët kaluan në epërsi me anë të Yannick Carrascos, që u asistua prej Luis Suarez.

Por, katalunasit i barazuan shifrat në minutën e 10-të me anë të Jordi Albas që realizoi super gol, e Dani Alves e shërbeu mjaft mirë.

Vendasit vazhduan me gola dhe arritën të kalonin në epërsi me anë të Gavit (21’), që u asistua prej Adama Traores.

Për të mbyllur pjesën e parë me golin e tretë u përkujdes Ronald Araujo, që shënoi në minutën e 43-të, falë një asistim prej Ferran Torres.

45 minutat e dytë filluan edhe më furishëm, pasi Dani Alves gjeti rrjetën për golin e katërt në minutën e 49-të.

Por, Atletico Madridi nuk u dorëzua dhe shënoi për 4-2 me anë të Suarez (58’), me Jose Gimenez që ishte asistuesi.

Në minutën e 70-të, Barcelona mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, shkaku që Alves u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të ashpër.

E njëjta gjë e përcolli edhe asistent-trajnerin e Xavit (80′), që shkaku i protestave për një penallti të kërkuar në Ferran Torres, iu tregua i kuqi.

Barcelona ia doli të mbante epërsinë prej 4-2, duke fituar kështu tre pikë të mëdha në Camp Nou.

Pas javës së 23-të, Barcelona është futur në top katërshe me 38 pikë, dy më shumë se Atletico Madridi që ka rënë në vendin e pestë.